Fjalë Kyçe

Thaçi do të mbrohet nga avokati i gjeneral Gotovinës

Thaçi do të mbrohet nga avokati i gjeneral Gotovinës

Gjykatësi francez i Procedurës Paraprake, Nicollas Guillou ka nxjerrur një vendim sa i përket kërkesës së ish-presidentit Thaçi për zëvendësimin e avokatit David Hooper me ish-avokatin e gjeneralit kroat Gotovina, Gregory Keohe.

Gregory Keohe, edhe zyrtarisht, me një vendim të vulosur nga Nicollas Guillou, do të jetë avokat i ri i ish-presidentit Thaçi, shkruan lajmi.net.

Guillou në një vendim të cilin e ka nxjerrë gjatë ditës së sotme, ka pranuar largimin e hershëm të David Hooper nga ekipi mbrojtës i Thaçit, si dhe ka kërkuar nga Regjistri që menjëherë pas nxjerrjes së këtij vendimi, në bazë të procedurave në fuqi, të bëj caktimin e Keohes si avokat të Thaçit.

Në vendim, Guilloi gjithashtu ka urdhëruar regjistrin që brenda një jave ta njoftojë atë për emërimin e Keohes.

Guillou në vendimin e nxjerrur sot ka vënë në pah faktin se ish-avokati i Thaçit, David Hooper ka dhënë garancitë e tij se Keohes do ia dorëzojë dosjen e deritanishme gjyqësore.

Gjithashtu, gjykatësi francez ka përmendur faktin se Thaçi ka edhe katër avokatë të tjerë ndihmës, të cilët janë të njohur me çështjen dhe se të njëjtit sipas tij do të jenë ndihmesë e madhe në tranzicionin e përgjegjësive në ekipin mbrojtës të Thaçit.

“Gjyqtari i Procedurës Paraprake gjithashtu vëren se Z. Hooper ka dhënë sigurimet se ai do t’i japë avokatit zëvendësues çdo ndihmë të kërkuar në dorëzimin e çështjes.Për më tepër, përveç avokatit, z. Thaçi ka qenë përfaqësuar që nga fazat e hershme të procedimit nga katër bashkë-avokatë të cilët janë të njohur me procedurat dhe çështjen kundër tij. Duke marrë parasysh si më sipër, gjyqtari i procedurës paraprake është i kënaqur që përfaqësimi efektiv i z.Thaçi është siguruar dhe, në përputhje me rrethanat, miraton përfundimin e parakohshëm të përfaqësimit nga z. Hooper”, thuhet në vendim, shkruan tutje lajmi.net.