Fjalë Kyçe

Thaçi e Haradinaj vlerësojnë lartë rolin e Batalionit “Atlantiku” që pati në luftën e UÇK-së

Thaçi e Haradinaj vlerësojnë lartë rolin e Batalionit “Atlantiku” që pati në luftën e UÇK-së

Kujtimi për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka bërë bashkë të premten presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Ramush Haradinaj. Ata kanë nderuar batalionin “Atlantiku”, në një akademi kushtuar ish-bashkëluftëtarëve të UÇK-së, për të cilët deklaruan se janë fuqizim për shtetin e Kosovës.

Për të nderuar ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët dy dekada më parë lanë familjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ju bashkuan UÇK-së, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj organizoi një akademi përkujtimi në 20 vjetorin e themelimit të batalionit. Aty u tha se pjesëtarët e batalionit “Atlantiku” janë krenari për Kosovën dhe vizita e tyre në vend, është nderë i madh.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se ardhja e ish-pjesëtareve të UÇK-së në Kosovë është mesazh që dërgohet për respektimin e të kaluarës së përbashkët, e edhe të thellimit dhe kujdesjes për raportet miqësorë e të përjetshme me Amerikën.

“Vlera e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, na bashkon të gjithëve, përtej çdo partie, përtej çdo ideologjisë, përtej çdo lokaliteti. Batalioni ‘Atlantiku’ është sinteza më reprezentative e rrethit ciklik ose katër fazave të marrëdhënieve të shqiptaro-amerikanëve me atdheun dhe shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të parët tuaj, por edhe ju, shkuat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në atdheun e madh të lirisë dhe të demokracisë. Shqiptarët e Amerikës kanë luajtur rol të jashtëzakonshëm dhe historik në afrimimin e çështjes së Kosovës dhe shqiptareve në përgjithësi. Në çastet më të vështira për Kosovën dhe kombin ishte krejtësisht i natyrshëm reagimi juaj, sepse ju e dinit kuptimin e thellë të lirisë dhe gjendjes së rëndë të robërisë që kalonim”, tha ai.

E kryeministri Ramush Haradinaj kujtoi kohën kur gjysma e popullit të Kosovës ishte dëbuar nga tokat e tyre, ndërkohe që të tjerët kishin mbetur brenda duke përjetuar torturë.

Ai tha se kjo duhet t’i bëhet me dije botës, e për këtë tha se është e nevojshme që të jenë të bashkuar.

“Kemi me qenë çdo herë bashkë që mos me lejuar dikush me tjetërsuar të drejtën tonë, sakrificën tonë, jo vetëm të drejtën me qenë në liri, por të drejtën me na u njoft e keqja,  gjenocidi, ajo që i ka ndodh popullit tonë. Dua të kërkoj ndihmën e juaj, në emër të secilit prej nesh, që të rrimë të bashkuar se puna e Kosovës, e atdheut tonë, nuk është kryer krejt, e nëse jemi bashke kemi me e kry me nderë, ashtu siç i kemi kaluar e kryer detyrat në të kaluarën, të rënda. Falemnderit të gjithëve, president, po ashtu faleminderit që sot jemi bashkuar në nderim të bashkëluftëtarëve tanë, pra Batalionit ‘Atlantiku’”, tha ai.

Në këtë akademi mori pjesë edhe deputeti shqiptar në bashkinë e Nju Jorkut, Mark Gjonaj dhe për të, 20 vjetori i krijimit të batalionit “Atlantiku” është plot emocion.

“20 vjetori i Batalionit “Atlantiku” është udhëtim që ka krijuar kujtime, udhëtim me plot emocione, udhëtim që nuk do harroj kurrë. Dua ta falënderoj Batalionin ‘Atlantiku’ që më ftoi të jem me ju. Po më jepni kujtime që do të zgjasin tërë jetën. Dua të falënderoj qeverinë e Shqipërisë dhe Kosovës  për pritjen e përzemërt ndaj Batalionit ‘Atlantiku’. Janë pritur sikur heronj që i dimë që janë. Janë pritur me flamuj nga Tirana në Prishtinë për të përkujtuar këtë përvjetor. Lufta e Kosovës nuk ishte një luftë e thjeshtë. Ishte luftë që filloi një shekull më parë, dekada të përndjekjeve, diskriminimit dhe padrejtësisë. Ishte një luftë që shqiptarët mbarë botës patën një rol në të”, tha ai.

Ndërsa, Gani Shehu, që ishte komandant i Batalionit “Atlantiku” tha se nuk duhet harruar padrejtësitë dhe e kaluara e Kosovës.

“Tani Kosova është i pavarur dhe demokratik, Kosova nuk kërcënon askënd, ne dëshirojmë të jetojmë më paqe me të tjerët, por po tentuan të prekin të drejtat tona, ne do të përgjigjemi në mënyrë të rreptë ndaj të gjithë padrejtësive. Nuk mund të harrojmë padrejtësitë që na janë bërë, por dëshirojmë që me gjuhën e arsyes bashkërisht ta ndërtojmë edhe paqen. Jemi njohur me shumë beteja duke dhënë jetën që kombi ynë të jetojë në të drejtën legjitime të tij, prandaj të gjithë ata që luftuan për lirinë e popullit tonë kanë shenjtëruar këtë vend”, tha ai.

Ish-luftëtaret e Batalionit “Atlantiku” po qëndrojnë për vizitë në Kosovë në 20 vjetorin e themelimit.

Dy dekada më parë, ata iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri, duke lënë kështu familjen dhe jetesën e tyre në shtetet e Bashkuara të Amerikës, për t’u kthyer pastaj pas përfundimit të luftës, raporton KosovaPress