Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka thënë se bredhja turistike e disa diplomatëve, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave është fyerje e radhës për qytetarët e Kosovës.
Sipas tij, kjo ofertë, siç e quan ai, hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive, apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opsione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.
Këto projekte, kreu i shtetit i ka quajtur të turpshme dhe të papranueshme.
Postimi i plotë i Thaçit:
Bredhja turistike e disa diplomatëve të rangut të ulët fshehtas nga një kënd në këndin tjetër të Prishtinës, nga një zyrë në zyrën tjetër të institucioneve vendore, duke lobuar për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë në këmbim të liberalizimit të vizave, është fyerje e radhës për institucionet dhe qytetarët e Kosovës.
Kjo ofertë hileqare dhe diskriminuese e tyre dhe planet për asociacion me kompetenca ekzekutive, apo projekti “kreativ” për sovranitet të dyfishtë, nuk janë asgjë tjetër përveç opcione me qëllim përfundimtar për ndarje të Kosovës.
Këto projekte janë të turpshme, dhe si të tilla, plotësisht të papranueshme, sot dhe gjithmonë. Kosova është një dhe e pandashme.