Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pranuar ftesë nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, për të marrë pjesë në samitin e liderëve të Ballkanit që do të mbahet në fund të këtij muaji në Berlin.
Këtë e ka konfirmuar edhe vetë zyra e presidentit.
“Po, presidenti Thaçi ka marrë ftesë nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron për të marrë pjesë në samitin që mbahet në Berlin”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të presidentit Thaçi.
Dy shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian kanë vendosur t’i takojnë udhëheqësit shtetërorë ballkanas të hënën e ardhshme, më 29 prill, në Berlin.
Edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka konfirmuar se do t’i përgjigjet ftesës së Gjermanisë dhe Francës që të takohet në Berlin më 29 prill me udhëheqësit shtetërorë ballkanas.