Fjalë Kyçe

Thaçi nga java e ardhshme nis konsultimet me partitë politike, nuk përmend zgjedhjet

Thaçi nga java e ardhshme nis konsultimet me partitë politike, nuk përmend zgjedhjet

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit Ramush Haradinaj, duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit.

Sipas njoftimit për media, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas dorëheqjes së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme në pajtim me kompetencat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë.

Për më tepër, duke u bazuar në kompetencat kushtetuese, Presidenti i Republikës së Kosovës përfaqëson unitetin e popullit dhe është garantues i funksionimit demokratik të institucioneve shtetërore. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore.

 

Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në njoftimin për media.

Ndryshe  Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryeministrit pë shkak të ftesës nga Gjykata Speciale.

Ai para mediave ka thënë se dorëheqje ka dhënë për ta ruajtur nderin e Kosovës, dhe për t’u paraqitur në Gjykatën Speciale si qytetar i thjeshtë.