Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.
Nga aty, Thaçi ka thënë se “Epopeja e UÇK-së”, është epopeja më e lavdishme e luftës dhe projektit më madhor dhe të shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shkruan Gazeta Alo.
“Sot jemi në nderime të sakrificës sublime të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij. Jemi duke bërë nderimet më të larta shtetërore të Epopesë së UÇK-së që është epopeja më e lavdishme e luftës sonë, e projektit më madhor dhe të shenjtë të UÇK-së”, ka thënë ai.
Sipas tij, datat 5,6 dhe 7 mars janë data të sakrificës ku edhe bota ndryshoi për Kosovën.
“Gjithmonë kur përkujtojmë datat 5,6 dhe 7 mars përkujtojmë atë sakrificë të jashtëzakonshme atë sakrificë që bëri që bota të ndryshojë qëndrim për Kosovën që gjithë kombi shqiptarë të bashkohet për liri dhe pavarësi të Kosovës dhe sot gëzojmë frytet e lirisë të pavarësisë në rrugëtimin tonë për tu integruar në NATO dhe Bashkim Evropian duke kultivuar gjithmonë raportet speciale me SHBA-të”, ka thënë ai./Gazeta Alo/