Fjalë Kyçe

Thaçi për anulimin e takimit nga Kurti: Kosova nuk ka kohë për të pritur teket e askujt

Thaçi për anulimin e takimit nga Kurti: Kosova nuk ka kohë për të pritur teket e askujt

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur sot në një konferencë për media, pas takimeve që i pati me liderët në vend.

Thaçi tha se i ka njoftuar liderët për takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ai shtoi se me Isa Mustafën, liderin e LDK-së ka pasur një takim të shkëlqyer derisa, ka folur vec e vec për të gjitha takimet.

“Në kuadër të transparencës së plotë dhe bashkë përgjegjësive që kemi unë sot kam zhvilluar takime me liderët institucional dhe politik, duke filluar me liderin e LDK-së, z.Isa Mustafa që ka qenë një takim i shkëlqyer, kemi diskutuar për këtë proces që po kalojmë dhe u dakorduam si zakonisht që të kemi qëndrim të përbashkët me çështjet me rëndësi vitale, konsolidim të brendshëm dhe atë të jashtëm, e vlerësoj lartë kontributin e z.Mustafa që gjithmonë ka luajtur një rol konstruktiv.”

Një takim kemi pasur edhe me liderin e opozitës, Kadri Veselin, me nevojën e unifikimin e opozitës dhe pozitës, që është gur themeli për çështjet e interesit të përbashkët.

“Kemi vazhduar në një bisedë shumë konstruktive dhe miqësore edhe me ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, edhe ai përkrah përpjekjet për një konsensus sa më të gjerë. Përkrah përpjekjet për të ndërtuar një qëndrim të përbashkët, e vlerësoj lartë kontributin e tij në këtë drejtim, kishte konstatim nga takimi që vetëm unik dhe të bashkuar do të kemi sukses edhe tash.

Edhe gjithashtu me liderin e Nismës, u pajtuam që të flasim me një zë me përgjegjësi më të lartë, sidomos në çështjen e dialogut. Vlerësoj lartë përkrahjen e tij në përballjen në sfidat që do t’i kemi si institucione.

Sot kam pasur takim tepër të mirë, mjaft konstruktiv edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe. Roli i komunitetit serb është i rëndësisë së veçantë në ndërtimin e shtetit dhe shoqërisë multietnike, është  me interes që të punojmë të gjithë bashkërisht.

Me deputetët e komuniteteve jo shqiptare u konfirmua se përmirësimi i jetës së qytetarëve është me interes për të gjithë dhe marrëveshja që mund  të arrihet i hap rrugë zhvillimit ekonomik, progresit, jetës më të mirë të njerëzve. Paqja është në interesin e të gjithëve, do të punojmë maksimalisht me të gjithë.

Gjithashtu kemi besim të plotë që marrëveshja eventuale Kosovë – Serbi që do të përfundonte me njohje reciproke do forconte këtë. Në kuadër të agjendës, nevoje për unitet, e kam marrë edhe nga presidenti i AKR-së, me të cilin kam pasur një bisedë telefonike.  ”, tha presidenti, derisa, foli edhe për takimin me kryeministrin Albin Kurti që ishte planifikuar sot për në orën 13:00.

“Për hirë të transparencës së plotë për sot ka qenë e konfirmuar që të ndodhë edh enjë takim me kryeministrin Albin Kurti mirëpo, për fat të keq edhe pse takimi ka qenë i konfirmuar nga zyra e tij qysh të premten në mesditë, me kërkesën e këtij takimi, ishte planifikuar që të ndodhë në ora 13:00 por për fat të keq 5 minuta para 13:00 është anuluar, unë do ta takoj kur mendoj se është me interes që të takohet, por, Kosova nuk ka interes për të humbur, e për t’i pritur teket e hujet e askujt. Besoj që do të kemi sukses edhe tash.

Ai vetë e ka konfirmuar takimin, refuzimi i tij për të ardhur në takim është vendim i tij jo i imi, e theksoj se Kosova e as partnerët tanë nuk kanë kohë për të humbur dhe për të mbetur viktimë, për teke e huje të asnjërit nga ne”, tha Thaçi.