Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pritet t’ia kthej Ligjin për Pagat sërish Kuvendit të Kosovës për rishqyrtim.
Këtë vendim, presidenti Thaçi pritet ta marrë së shpejti, pas pranimit zyrtarisht të këtij ligji nga ana e Kuvendit të Kosovës.
KosovaPress mëson se Zyra e Presidentit ka pranuar shumë ankesa dhe shqetësime nga sindikata e shoqata të ndryshme, të cilat vlerësojnë se me këtë ligj u është bërë e padrejtë.
Mundësinë e rikthimit në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Pagat e ka konfirmuar përmes telefonit edhe vetë këshilltari politik i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj.
“Për shkak të ankesave të pranuara, kërkesave të sindikatave dhe të shoqatave profesionale, të OJQ-ve, por edhe të shoqatave të veteranëve, presidenti po e shqyrton seriozisht mundësinë që të mos e ratifikojë Ligjin për Pagat dhe t’ia kthej Kuvendit për rishqyrtim”, ka thënë Arifaj.
Përveç tjerësh, kundër projektligjit të ri për pagat kanë reaguar edhe Sindikata e Shërbimit Civil të Kosovës, Sindikata e Administratës Publike të Kosovës, “Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu Sh.A.” – KOSTT, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës, Agjencia e Shërbimeve të Navigacionit Ajror dhe të tjera.