Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vendosur që në ditën e inaugurimit të autostradës “Arbën Xhaferi”, të mundohet t’i marrë meritat për të duke publikuar një video speciale përmbledhëse të kohës sa kanë zgjatur punimet.
Thaçi përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se Autostrada që u nis në vitin 2014-të prej sot është e hapur për të gjithë.
“Urat e bashkimit i kemi ndërtuar mbi çdo pengesë. Shkupi, Tetova, Kumanova, Gostivari, Struga kurrë nuk kanë qenë më afër. Ne kurrë nuk kemi qenë më të bashkuar. Autostrada “Arbën Xhaferi”, të cilën e nisëm në 2014-ën, prej sot e hapur për të gjithë!”, ka shkruar presidenti, i cili atë vit kur autostrada nisi kishte qenë në postin e kryeministrit.
Edhe nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj dje ka shkruar se autostrada është ide dhe vizion i PDK-së.
Kontrata për ndërtimin e autostradës është nënshkruar me datën 1 korrik 2014.