Fjalë Kyçe

Thaçi: Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon, e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen

Presidenti Hashim Thaçi në hapje të Samitit të Berlinit ka folur për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin.

Thaçi ka thënë se situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar.

“Në hapjen e Samitit të Berlinit fola për bashkëpunimin rajonal dhe pajtimin. Situata dhe relacionet janë në nivel të ulët, prandaj në rrethana të tilla shumë iniciativa të mira nga Procesi i Berlinit kanë mbetur pa u realizuar. Kjo situatë e keqe nuk mund të tejkalohet vetëm me deklarata dhe premtime abstrakte.

Duhen vendime të guximshme nga shtetet e rajonit, të cilat nuk do të ndodhin për aq kohë sa nuk ka vendime të guximshme dhe strategjike nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare”, ka theksuar presidenti.

Tutje ai ka thënë se edhe pajtimi do të jetë i pamundur për aq kohë sa Serbia dhe Bosnje e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Gjermania dhe Franca kanë mundësi ta marrin lidershipin për këto vendime të guximshme. Por, një prej vendimeve të para që Bashkimi Evropian do duhej ta merrte është liberalizimi i vizave për qytetarët tanë. Kosova padrejtësisht ka mbetur vendi më i izoluar në Evropë. Qytetarët e Kosovës janë populli më proevropian në rajon dhe është shumë e padrejtë të vazhdojnë të diskriminohen”, ka thënë Thaçi.