Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar në lidhje me aksionin e sotëm policor në pjesën veriore të vendit.
Ai ka thënë se ky operacion është në të mirë të të gjithë qytetarëve pa asnjë dallim dhe ka ftuar komunitetin serb në veri që ta ruajë qetësinë dhe ta përkrahë luftën kundër krimit të organizuar.
Kreu i shtetit po ashtu shprehu keqardhje “për plagosjen e policit tonë në krye të detyrës dhe i uroj shërim sa më të shpejt”.
“Në dekadën e dytë të Republikës së Kosovës s’do të ketë vend për krim të organizuar dhe ata që merren me aktivitete të kundërligjshme do të përfundojnë prapa grilave”, tha Thaçi në një postim në Facebook.
Presidenti tha në fund se “forcimi i rendit dhe ligjit është jetik për barazinë e gjithë qytetarëve dhe përshpejton lëvizjen tonë drejt procesit të integrimeve euroatlantike”.