Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot ambasadorin e SHBA-së, Philip S. Kosnett, aty është biseduar për tema të ndryshme e në veçanti për vazhdiminin e dialogut me Serbinë. Komunikata për media sqaron se Thaçi dhe Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore
Thaçi ka theksuar se miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe thelbësore për realizimin e qëllimeve strategjike për integrim në strukturat euroatlantike.
“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.
Presidenti dhe ambasadori Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore.
“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht po deklaron se taksa nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës./Gazeta Alo/