Fjalë Kyçe

Thaçi: Taksa nuk do të hiqet

Thaçi: Taksa nuk do të hiqet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se tarifa e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, nuk do të hiqet.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, presidenti foli edhe për Samitin e Berlinit, që sipas tij, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, derisa kritikoi sërish Bashkimin Evropian për mosunitet.

Ndërkaq, rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë-Serbi e sheh si të pashmangshëm.

Thaçi tha se është kundër shkëmbimit të territoreve, por është i bindur që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci duhet t’i bashkëngjitet territorit të Republikës së Kosovës.

Radio Evropa e Lirë: President Thaçi, pas Samitit të Berlinit ju nuk ishit shumë optimist se do të ketë lëvizje pozitive në drejtim të përmbylljes së procesit të dialogut me Serbinë dhe arritjes së një marrëveshjeje finale. Ku aktualisht qëndrojnë pengesat kryesore në këtë proces?

Hashim Thaçi: Unë them që takimi (Samiti) i Berlinit, nuk ka nxjerrë ndonjë konkluzion të qartë, ndërsa jam optimist se në Paris, mund të kemi një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Radio Evropa e Lirë: E shihni si vazhdim të procesit të dialogut apo fillim të ri?

Hashim Thaçi: E shoh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron. Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren.

Radio Evropa e Lirë: Nuk i kursyet nga kritikat as BE-në dhe vendet e Kuintit. A nënkupton kjo që procesi nuk është duke u udhëhequr si duhet?

Hashim Thaçi: Definitivisht, në Berlin është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse. Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ.

Radio Evropa e Lirë: Keni përmendur edhe rolin e SHBA-së në proces si të pashmangshëm për arritjen e marrëveshjes. Në çfarë kuptimi keni menduar, marrë parasysh faktin që Uashingtoni disa herë është shprehur se e mbështetë procesin që udhëhiqet nga BE-ja?

Hashim Thaçi: Në kuptimin e rolit vendimtar dhe historik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të kaluarën, kur ka arritur paqen në Dejton për Bosnje Hercegovinën, marrëveshjen në Rambuje për Kosovë, e gjithashtu kontributin e jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për marrëveshjen në Ohër të Maqedonisë së Veriut, por edhe marrëveshjen në Konçul. Prandaj, e ritheksoj edhe sot, dhe jo rastësisht kam diskutuar me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ambasadën amerikane në Berlin rreth dy orë para takimit në Berlin, se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.