Fjalë Kyçe

Thaçi: U ndamë të dëshpëruar nga takimi në Berlin, kishte vetëm fjalime boshe

Thaçi: U ndamë të dëshpëruar nga takimi në Berlin, kishte vetëm fjalime boshe

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për ‘Financial Times’, ka folur rreth Samitit të Berlinit.

Thaçi ka thënë se mosmarrëveshjet midis qeverive perëndimore po pengojnë zgjidhjen e mosmarrëveshjes në mes Kosovës dhe Serbisë, duke krijuar rrezik që konflikti i dhunshëm në Ballkan të kthehet.

Gjatë kësaj interviste, Thaçi e ka përshkruar BE-në si tepër të dobët, të ndarë brenda dhe të shqetësuar nga popullistët në zgjedhjet e ardhshme të Parlamentit Evropian.

Tutje, ai ka thënë se diplomacia e koordinuar me mjeshtëri i SHBA-së që kishte kontribuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes së Maqedonisë Veriore me Greqinë vitin e kaluar, mungonte në rastin e Serbisë dhe Kosovës, transmeton lajmi.net.

“Pa përfshirjen dhe rolin udhëheqës të SHBA-ve, unë jam skeptik se dikush nga BE mund të bëjë më shumë. Roli i SHBA-vë është vendimtar për një zgjidhje”, tha ai.

Marrëveshjen maqedonase në të cilën ky vendi i Ballkanit u riemërua si Maqedonia Veriore, Thaçi e ka cilësuar si ‘një vendim të zgjuar historik”, duke shtuar se zgjidhja e problemit Kosovë-Serbi është edhe më e vështirë për shkak të historisë e cila tanimë dihet.

“Ajo çka ne po synojmë është njohja e Kosovës nga Serbia, dhe kështu rruga për anëtarësim në BE do të jetë e hapur për të dy shtetet. Por nuk do ketë kompromis për pavarësinë e Kosovës, përndryshe do të mbesim në një konflikt të ngrirë që do kishte pasoja për të ardhmen dhe do kishte mundësi për konflikt të ri”, ka theksuar presidenti.

Gazeta thekson se SHBA është e shqetësuar për ndikim e Rusisë dhe Kinës në Ballkan, andaj ata kanë konsideruar një zgjidhje me shkëmbim të territoreve si pjesë e një marrëveshje të përgjithshme që do i hapte rrugë të dy vendeve për anëtarësim në organizata perëndimore.

Gjermania ka rritur shqetësimet rreth implikimeve të ndërrimit të kufijve në Ballkan. Por qeveritë e tjera të shteteve anëtare të BE-së duken më të heshtura rreth kësaj ideje.

Rreth takimit të liderëve në Berlin Thaçi është shprehur kështu: “Jo vetëm unë, por të gjithë ne nga rajoni u ndamë të dëshpëruar nga takimi në Berlin. Nuk kishte asgjë konkrete, vetëm fjalime boshe”.