Fjalë Kyçe

Thaçi uron 7 Marsin: Mësuesit janë bërë edhe heronj për liri dhe pavarësi

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se Dita e Mësuesit duhet të na motivojë edhe më shumë për rritjen e ndërgjegjësimit kolektiv rreth rolit dhe kontributit jetik që mësuesit japin.

Sipas, tij mësuesit tanë edhe në ditët më të rënda na kanë mësuar në frymën më të lartë të patriotizmit dhe janë bërë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe heronj e dëshmorë, për lirinë dhe pavarësinë tonë, shkruan Gazeta Alo.

Postimi i tij i plotë:

Dita e Mësuesit, 7 Marsi, përherë duhet të na motivojë edhe më shumë për rritjen e ndërgjegjësimit kolektiv rreth rolit dhe kontributit jetik që mësuesit japin çdo ditë për arsimimin e gjeneratave të reja dhe zhvillimin e shoqërisë. Me përkushtimin e tyre për të përhapur dije, mësuesit tanë edhe në ditët më të rënda na kanë mësuar në frymën më të lartë të patriotizmit dhe janë bërë jo vetëm udhërrëfyes, por edhe heronj e dëshmorë, për lirinë dhe pavarësinë tonë. Në këtë ditë të veçantë, të gjithë mësuesve ua uroj 7 Marsin dhe shpreh mirënjohje të pakufishme për punën e tyre! HTH/Gazeta Alo/