Fjalë Kyçe

Thaçi zhgënjehet keq me emisarët e Merkelit dhe Macronit: Ata as që e përmendën liberalizimin e vizave

Thaçi zhgënjehet keq me emisarët e Merkelit dhe Macronit: Ata as që e përmendën liberalizimin e vizave

Presidenti Hashim Thaçi ka treguar se çfarë ka biseduar me të dërguarit e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

“Sapo përfundova një takim me të dërguarit e kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron me të cilët diskutuam për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor, fokusin evropian për të ardhmen e Kosovës, aktualitetin dhe perspektivën”.

“Edhe njëherë dëshiroj të falënderoj presidentin Macron për interesimin e vazhdueshëm dhe dinamik të tij personalisht, por edhe të ekipit të tij për Kosovën dhe natyrisht zotimin për të ardhmen evropiane të shtetit të Kosovës”.

Thaçi ka thënë se emisarët e kancelares gjermane dhe presidentit francez as që e kanë përmendur çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, dhe kjo sipas tij është zhgënjyese.

Ai ka deklaruar se ishte ai që e ka hapur këtë temë, derisa ka ripërsëritur se BE-ja po bën gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për fat të keq edhe sot nuk u dëgjua asgjë për liberalizimin e vizave për Kosovën. Madje, sikur të mos e hapja si temë as që do të diskutohej dhe kjo është jashtëzakonisht zhgënjyese për qytetarët e vendit kur para pesë vjetësh Bashkimi Europian ka qenë i gatshëm që ta marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

“Ky mosunitet dhe ky qëndrim rigjid, dhe tash edhe ndëshkues, i Bashkimit Europian për Kosovën është i padrejtë në rrafshin e aktualitetit dhe historik, por edhe gabim që BE po bën në raport me Kosovën, sepse Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret demokratike tash e disa vite”.

“Na kushtëzuan me një kusht krejt të panevojshëm që ishte Demarkacioni me Malin e Zi, por ne e përfunduam edhe atë kushtëzim duke e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Përsëri është ky hezitim, tash edhe refuzim, nga Bashkimi Europian duke mos e vënë fare në rend të ditës liberalizimin e vizave për Kosovën”.

“Mendoj se duhet të jetë mesazh i zgjimit dhe unitetit të spektrit politik përballë kësaj padrejtësie. Ne nuk kemi të ardhme tjetër, pos asaj evropiane, por edhe BE-ja duhet ta thotë hapur dhe në mënyrë të sinqertë se pse nuk e nxjerrin vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

I pari i vendit ka thënë se në këtë takim e ka shprehur qëndrimin e tij që Bashkimi Europian duhet të marrë vendimin për liberalizimin e vizave, pastaj të hapet çështja e dialogut.

Thaçi sërish ka ngritur dyshime nëse BE-ja duhet të vazhdojë ta lehtësojë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

“Qëndrimi im ishte shumë i qartë, në emër të institucioneve dhe popullit të Kosovës, BE fillimisht duhet ta nxjerrë vendimin për liberalizimin e vizave dhe pastaj të mendojë nëse ka kapacitete, hapësirë, vizion dhe lidership për ta shtyrë përpara dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi”.

“Nga ajo që unë shoh, Bashkimi Europian sot është plotësisht i papërgatitur për fazën e dytë të dialogut, ndërsa për fazën e parë ka menduar në mënyrë elegante ta tejkalojë çështjen e liberalizimit të vizave për të hyrë në një proces krejt të pasigurtë, të panjohur dhe të pafuqishëm për të arritur ndonjë marrëveshje”.

“Theksuam edhe njëherë se BE duhet ta shohë, kuptojë dhe respektojë definitivisht Kosovën si vend i pavarur dhe sovran dhe në asnjë rrethanë të përputhë mendimin dhe qëndrimin e shumicës së vendeve të BE-së që e kanë njohur Kosovën me opinionin e pesë vendeve të BE-së që s’e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.