Ministria e Drejtësisë ka organizuar sot Kuvendin e themelimit të Odës së Ndërmjetësuesve, me ç’rast u tha se ndërmjetësimi në Kosovë ka mundësuar zgjedhjen e më shumë se 6 mijë rasteve gjyqësore deri në fund të vitit 2018.
Në Kuvendin e themelimit të Odës së Ndërmjetësuesve, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, Qemajl Marmullakaj, u shpreh se pozita e ndërmjetësuesit paraqet një rol shumë të rëndësishëm në sistemin e drejtësisë dhe qasjes më të lehtë të qytetarëve në drejtësi.
“Si një mekanizëm alternativ ndërmjetësimi në Kosovë ka një bazë të mirë ligjore, që ofron qytetarëve zgjedhje më të shpejtë. Pozita aktuale e ndërmjetësimit në Kosovë si tërësi ka ndikuar në ngritje të numrit të rasteve të referuara”, ka thënë ai. “Ndërmjetësimi ka mundësuar zgjedhjen e më shumë se 6 mijë rasteve deri në fund të vitit 2018 të referuara nga Gjykatat dhe Prokuroritë Themelore, duke shkarkuar dhe ndihmuar gjyqësorin edhe ashtu të ngarkuar në zgjedhjen e rasteve në forma alternative”, ka thënë më tej ai.
Marmullakaj tha se Ministria e Drejtësisë do t’i kushtojë vëmendje të posaçme profesionit të ndërmjetësimit dhe se do të angazhohet më shumë në përmirësimin e cilësisë së ndërmjetësimit e qasjes në drejtësi.
Kurse, drejtori i programit të USAID-it- Drejtësia Komerciale, Chris Thompson tha se qëllim i programit është përmirësimi i perceptimit të bizneseve dhe qytetarëve ndaj korrupsionit.
“Jemi këtu si projekt njëri prej qëllimeve kryesore është t’i shmangim dhe t’i zvogëlojmë të gjitha mundësitë të cilat e parandalojnë korrupsionin. Gjithashtu të përmirësojmë perceptimin e bizneseve dhe qytetarëve ndaj korrupsionit, duke përmirësuar kështu legjislaturën e drejtësisë komerciale. Duke fuqizuar kështu përmbarimin e aktgjykimeve dhe legjislacionin komercial. Ne jemi shumë të gëzuar që kemi kolegë profesional dhe ka ekspertizë të mjaftueshme, andaj ne si projekt ofrojmë vetëm asistencë teknike, nuk ofrojmë fonde apo grante. Emri i projektit tonë është ‘Drejtësia komerciale’ dhe fokusin kryesor e kemi në drejtësinë komerciale, mirëpo duke përfshirë këtu edhe qasjen në ndërmjetësim”, u shpreh ai.
Thompson ka thënë se do të vazhdojnë të mbështesin dhe të ndihmojnë ndërmjetësimin, duke theksuar se do të mbështesin Ministrinë e Drejtësisë në zhvillimin e udhëzimeve administrative.
“Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë dhe ta mbështesim ndërmjetësimin, duke e zhvilluar dhe duke e mbështetur Ministrinë e Drejtësisë në zhvillimin e udhëzimeve administrative dhe rregulloreve. Gjithashtu, ta ndihmojmë Ministrinë e Drejtësisë në zhvillimin e profesionalizmit në ndërmjetësim. I ofrojmë gjykatave mbështetje në referimin e rasteve në ndërmjetësim, gjithashtu i udhëzojmë në procedura në procese si pjesë e referimit të rasteve në Gjykata. Do të bëjmë çmos që të ngrisim vetëdijen dhe të edukojmë publikun dhe qytetarët në ndërmjetësim, promovimin e tij si një metodë alternative për zgjedhjen e mosmarrëveshjeve”, tha ai.
Ai tha se pret nga Oda e Ndërmjetësuesve që të jetë një organ vetëqeverisës dhe të fokusohet në përmirësimin e imazhit të ndërmjetësimit në Kosovë.
Mision tjetër i Odës ai tha se duhet të jetë që të ofrojë qasje në drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kuvendi i themelimit të Odës së Ndërmjetësuesve do të zgjasë gjithë ditën, ku pritet të zgjidhen anëtarët e bordit dhe kryetari i Odës.