Fjalë Kyçe

Themelorja e Pejës kritikohet për mospublikim të aktgjykimit në rastin e dhunimit të 15-vjeçares

Themelorja e Pejës kritikohet për mospublikim të aktgjykimit në rastin e dhunimit të 15-vjeçares

Avokatja Rina Kika ka kritikuar Gjykatën Themelore në Pejë për mospublikimin e aktgjykimit në rastin e dhunimit të një 15-vjeçareje.

Të hënën bëri bujë raportimi për dënimin me vetëm tetë muaj e tetë ditë burgim një personi të akuzuar për dhunimin e një 15-vjeçareje. Edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh dënimi për dhunim në rastin kur viktima është e mitur të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim, gjyqtarja Florije Zatriqi, ka gjetur rrethana lehtësuese. Ajo në vendimin e marrë dy muaj më parë kishte arsyetuar dënimin e ulët duke u bazuar në keqardhjen dhe pranimin e fajësisë si dhe në kohën kur ka ndodhur rastin i pandehuri ka qenë 21-vjeçare dhe se tani kanë kaluar 10 vite dhe se ai ka edhe fëmijë. Ngjarja, sipas aktakuzës, kishte ndodhur në janar të vitit 2012.

Në kërkesën e KOHËS për aktgjykimin, Themelorja e Pejës ka thënë se s’mund ta bëjë publik për shkak se viktima ishte e mitur.

Këtë e ka kritikuar avokatja e Kujtim Veselit që u gjet i vdekur në korrik të 2019-s. Kika ka treguar në Facebook se aktgjykimi për dhunimin seksual dhe vrasjes së 11-vjeçarit është publikuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe janë anonomizuar të dhënat e personave të rritur.

“Gjykata Themelore Pejë nuk po lejon qasje në Aktgjykimin me të cilin e ka dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim personin e shpallur fajtor për dhunimin seksual të një të miture. Arsyetimi? Nuk mund të publikohen vendimet ku në proces gjyqësor viktima ka qenë e mitur. Aktgjykimi për dhunimin seksual dhe vrasjes së Kujtim Veselit (11 vjeçar) është publikuar në web faqe të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe janë anonimizuar të dhënat e personave të mitur. Apo vlejnë rregulla tjera për viktimat e të akuzuarit shqiptarë e ashkali?” ka shkruar ajo.

Kika tutje ka thënë se Gjykata duhet të njoftojë popullin se me çfarë arsyetimi e ka dhënë dënimin prej tetë muajsh ndaj dhunuesit.

Dënimi në këtë masë nxiti reagime të ashpra në vend. Janë paralajmëruar protesta ndërsa është kërkuar edhe shkarkimi i gjyqtares. Ndërkaq Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist protestoi duke e mbushur me shkrime objektin e Gjykatës Themelore në Pejë.