Fjalë Kyçe

Thirrja e Kurtit për seancë të jashtëzakonshme, LDK e konfirmon pjesëmarrjen

Thirrja e Kurtit për seancë të jashtëzakonshme, LDK e konfirmon pjesëmarrjen

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të mos lejojë mbajtjen e referendumit serb brenda territorit të Kosovës. Këtij vendimi, përkrahje i kanë dhënë edhe partitë opozitare në vend.

Me ftesë të kryeministrit Albin Kurti, nesër në Kuvend duke filluar nga ora 14:00 do të mbahet seancë e jashtëzakonshme lidhur me këtë çështje.

Deputeti i AAK-së Pal Lekaj ka konfirmuar për Reporteri.net se ftesa iu është dërguar dhe do të marrin pjesë.

Teksa, në anën tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Arben Gashi ka thënë për Reporteri.net se zyrtarisht ende nuk kanë marrë një ftesë të tillë.

Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se beson që ftesa do të mbërrijë shpejt. Deputeti Gashi theksoi se LDK do të marrë pjesë në këtë seancë.

“Hala nuk ka mbrri zyrtarisht ftesa, por besoj që do të mbrrij shumë shpejt edhe ne si grup parlamentar do të marrim pjesë”, tha ai për Reporteri.net.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka deklaruar se do të mundësojë që serbët e Kosovës me dyshtetësi të votojnë në referendumin e së dielës për ndryshim të Kushtetutës së Serbisë, përmes postës ose në Zyrën Ndërlidhëse në Prishtinë.

Kundër këtij vendimi kanë dalë shtetet e QUINT-it të cilat i kanë kërkuar Kosovës që ta lejojnë mbajtjen e referendumit.

Komuniteti ndërkombëtar kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të mos rrisin tensionet lidhur me referendumin, të cilin e cilësuan si “hap kyç për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit” dhe për të rritur transparencën e institucioneve të shtetit dhe sundimit të ligjit, shkruan Reporteri.net.

“I bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet dhe retorika që rrisin tensionet dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Është e rëndësishme që të dyja qeveritë të arrijnë progres drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që hap perspektivën e BE-së dhe rrit stabilitetin rajonal”, është thënë në reagimin e komunitetit ndërkombëtar.

Thirrje për organizimin e këtij referendumi kanë bërë edhe zyrtarët e BE-së dhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më herët, në Kosovë nuk është penguar organizimi i zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë, në mjediset e banuara me shumicë serbe në Kosovë.

Në grumbullimin e votave për zgjedhjet e Serbisë ka qenë i angazhuar misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë.