Fjalë Kyçe

Tottenhami udhëton në Liverpool, Valencia pret Huesca-n

Tottenhami udhëton në Liverpool, Valencia pret Huesca-n

Si zakonisht në Premier League gjithçka rrjedh me shpejtësi dhe pa mbërritur ende në javën e famshme të “boxing day”, kampionati anglez bëhet gati për të përfunduar javën e 18.

Takimi përmbyllës i javës së parafundit, përsa i përket fazës së parë në Premiership, është Everton-Tottenham Hotspur, duel që do të luhet në orën 17:00 në “Stadiumin Goodison Park”.

Nën drejtimin e trajnerit të ri Marco Silva, “blutë” deri tani kanë grumbulluar vetëm 24 pikë, sidoqoftë pavarësisht se Evertoni nuk njeh fitore në katër ndeshjet e fundit, përsëri ky mbetet sezoni më i mirë për “toffees” në pesë vitet e fundit, ndërkaq “spurs” në krahun tjetër me 6 fitore në 7 takimet e fundit në transfertë përfaqësojnë ekipin e dytë më të mirë në Premier League, përsa i përket ndeshjeve jashtë fushe.

Pas kualifikimit në fazën e 1/8 në Champions “gjelat e Londrës” paraqiten në Liverpool plot besim, me 10 fitore në 12 javët e fundit në Premier League, ecuri që për momentin e mban skuadrën e Pochettino-s vetëm nëntë pikë larg “të kuqve” të gjermanit Jurgen Klopp. Pra përjashtim në tre muajt e fundit bëjnë vetëm humbjet me City-n në “Wembley” dhe disfata me Arsenalin në derbi, gjithsesi bëhet fjalë për periudhën më të ngjeshur të vitit në Angli, gjë që në fakt ka lënë pasoja edhe në repartin e mbrojtjes ku trajneri argjentinas përballet me mungesa të shumta.

Në mesjavë Pochettino e kaloi me të qeshur pyetjen e gazetarëve mbi një transferim të mundshëm të 46-vjecarit nga Santa Fe në fund të sezonit te Manchester United, ndërsa drejtuesit të bezdisur vendosën të mos lejojnë më asnjë pyetje në lidhje me këtë argument, gjithsesi me rivalitetin që ofron Premier League dhe stadiumin e ri në horizont është e kuptueshme që si objektiv minimal për klubin mbetet pikërisht Zona Champions.

“Spurs” nuk njohin humbje në 11 përballjet e fundit ndërmjet tyre, sidoqoftë këtë herë në Merseyside pritet një ndeshje tepër e fortë, për më tepër me një duel në distancë sa të veçantë po aq edhe interesant, ndërmjet sulmuesve kryesorë Harry Kane dhe brazilianit Richarlison, të cilët kanë shënuar respektivisht nga 9 dhe 8 gola në kampionat.

Në Primera Division këtë herë nuk do të ketë ndeshje në orën 20:30, kështu që takimi përmbyllës për të pasionuarit e kampionatit spanjoll përsa i përket vitit 2018 do të jetë Leganes-Sevilla, që do të luhet në orën 16:15, një ndeshje tepër e rrezikshme për skuadrën andaluziane, pasi “bardhekuqtë” do të paraqiten në kryeqytet pa dy të skualifikuarit Ever Banega dhe Pablo Sarabia.

Në Bundesligë futbollistët bëhen gati për pushimet e dimrit, gjithsesi dy takimet që mbyllin fazën e parë janë: Augsburg-Wolfsburg në orën 15:30 dhe Hoffenheim-Mainz në 18:00, ndeshje të cilat gjithë fansat e kampionatit gjerman do të kenë mundësi për t’i ndjekur si zakonisht nëpërmjet Kanalit Eurosport 2, transmeton SS.

Ashtu si në Bundesligë edhe në Eredivisie klubet do të kenë një shkëputje 4-javore nga kampionati. Kështu Feyenoord-i do ta mbyllë fazën e parë në orën 14:30 në Hagë në duelin me ekipin vendas, sidoqoftë dita në Supersport fillon me takimin e orës 12:15 Utrecht-Ajax, madje akoma më herët, sepse në mesditë për kampionatin spanjoll luhet edhe ndeshja Valencia-Huesca.