Fjalë Kyçe

Tre krerët e shtetit bëjnë homazhe për viktimat e 11 Shtatorit

Tre krerët e shtetit bëjnë homazhe për viktimat e 11 Shtatorit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani kryekuvendari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendësambasadorin amerikan Nicholas J.Giacobbe kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurorë me lule tek pllaka përkujtimore “Kosova kujton” në 20 vjetorin e sulmeve terroriste në SHBA.

Para pllakës përkujtimore të 11 Shtatorit, Osmani ka theksuar se sulmet e vitit 2001 zgjuan ndërgjegjen e gjithë botës. Sipas saj, në këtë përvjetor, Kosova rikonfirmon mbështetjen e saj ndaj SHBA-së dhe nderon kujtimin për mijëra viktima të sulmeve terroriste, në mesin e të cilëve pati edhe shqiptarë, njofton Klan Kosova.

“SHBA-të janë aleat i yni strategjik dhe i përhershëm. Sot jemi me ta, sikurse në çdo situatë tjetër. I kujtojmë viktimat e 11 Shtatorit dhe e konfirmojmë edhe njëherë se si populli me proamerikan në botë do të qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit krahas SHBA-ve, por edhe duke e ndarë dhimbjen në ditë si kjo. 11 Shtatori i vitit 2001, ishte thirrja e ndërgjegjes njerëzore, mobilizim kundër një te keqe të përgjithshme dhe rikujtim se solidariteti ndërnjerëzor në raste si ky sulm është garancë për një botë më të mirë dhe kontribut në luftën jo vetëm kundër terrorizmit, por edhe për lirinë, paqen dhe demokracinë në botë”, ka thënë Osmani.

Ndërsa, Konjufca ka thënë se sulmet terroriste të 20 vjetëve më parë në Kullat Binjake në New York ishin sulme kundër gjithë botës së lirë dhe vlerave demokratike. Për rrjedhojë, ka shtuar Konjufca, këto sulme ngjallën reagimin unik ndërkombëtar kundrejt kësaj të keqeje globale gjithnjë në rritje.

“Sulmet e 11 Shtatorit 2001 tronditën qytetarët e Kosovës dhe mbarë popullin shqiptar, sepse midis dy kombeve tona është sendërtuar një lidhje e fuqishme miqësie e emocionale. Kosova vazhdon të mbetet partner besnik i SHBA-ve në të gjitha angazhimet ndërkombëtare të tyre“, ka thënë Konjufca.

Derisa Kurti tha se në këtë ditë nderohet i gjithë kombi amerikan.

“Sot po përkujtojmë 20 vjetorin e sulmeve vdekjeprurëse që na tronditën të gjithëve. Nderojmë, me dhimbje e solidaritet, familjet e 2977 viktimave të pafajshme dhe mbarë kombin amerikan”, tha Kurti, ndërsa shtoi se Kosova bashkëndjen thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleat historik dhe pazëvendësueshëm i Kosovës.