Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka kritikuar përsëri kryetarin e Londrës, Sadiq Khan, duke e quajtur atë “turp kombëtar” që po e shkatërron kryeqytetin e Mbretërisë së Bashkuar.
Komentet e tij erdhën pas pesë sulmeve që ndodhën në Londër për më pak se 24 orë, në të cilat tre njerëz mbetën të vdekur dhe tre të tjerë të lënduar.
Kryetari i Partisë Laburiste, Jeremy Corbyn, tha se është tërësisht neveritëse që Trump po e përdor tragjedinë e njerëzve të vrarë për ta sulmuar kryetarin e Londrës, shkruan “BBC”.
Presidenti amerikan shkroi në Twitter se Khan është një tmerr dhe se kryeqyteti i Britanisë ka nevojë për një kryetar të ri. Më vonë ai gjithashtu shkroi: “Ai është turp kombëtar dhe po e shkatërron qytetin e Londrës”.
Zëdhënësi i kryetarit të Londrës tha se ai i ka ngushëlluar familjet e viktimave dhe nuk do ta humbë kohën e tij duke u përgjigjur ndaj këtyre deklaratave të presidentit amerikan.
Përndryshe, policia i ka arrestuar 14 persona në lidhje me sulmet me thika, përfshirë shtatë djem dhe një vajzë.