Fjalë Kyçe

Trump ndalon sportistët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e femrave

Trump ndalon sportistët transgjinorë të marrin pjesë në sportet e femrave

Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që synon të ndalojë sportistët transgjinorë që të marrin pjesë në sportet për femra.

Urdhri, i titulluar “Mbajtja e Burrave Jashtë Sporteve për Femra”, u jep agjencive federale liri të gjerë për të siguruar që subjektet që marrin fonde federale t’i përmbahen vendimit.

“Përmes këtij urdhri ekzekutiv, lufta kundër femrave në sport merr fund”, tha Presidenti Trump gjatë ceremonisë së nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë ku merrnin pjesë ligjvënës dhe sportiste femra që janë shprehur kundër pjesëmarrjes në sportet e tyre të transgjinorëve, përfshirë ish notaren e famshme Riley Gaines.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se urdhri është në përputhje me ligjin federal që ndalon diskriminimin me bazë gjinore në programet që marrin fonde federale. Ajo tha se urdhri kërkon “veprim të menjëhershëm, përfshirë veprimet për zbatimin e tij, ndaj shkollave dhe organizatave sportive” që nuk respektojnë sportet e femrave dhe dhomat e tyre të zhveshjes.

Nënshkrimi përkon me “Ditën Kombëtare të Vajzave dhe Grave në Sport” dhe është ndër urdhrat e fundit ekzekutiv të presidentit republikan që vë në objektiv transgjinorët.

Gjatë fushatës për Shtëpinë e Bardhë, Trump gjeti se kjo çështje shtrihej përtej vijave partiake. Më shumë se gjysma e të anketuarve nga “AP VoteCast” thanë se mbështetja për të drejtat transgjinore në qeveri dhe shoqëri i ka kaluar caqet. Zoti Trump u zotua gjatë fushatës zgjedhore që të eliminonte, siç tha ai, “çmendurinë transgjinore”, por pa dhënë detaje.

Urdhri ekzekutiv ofron disa qartësi. Ai autorizon Departamentin e Arsimit që të penalizojë shkollat që lejojnë pjesëmarrjen e transgjinorëve në sportet e femrave, duke thënë se kjo bie ndesh me ligjin federal për diskriminimin me bazë gjinore në shkolla. Shkollat që shkelin urdhrin mund të humbasin fondet federale.

Pas ardhjes së Trump në Shtëpinë e Bardhë, departamenti hapi një hetim ndaj shkollave publike në qytetin e Denverit për tjetërsimin e banjave për vajzat në banje për të gjitha gjinitë, ndërsa një tjetër vetëm për djemtë.

Presidenti Trump lëshoi gjithashtu një paralajmërim për Komitetin Olimpik Ndërkombëtar përpara Lojërave Olimpike Verore 2028 në Los Anxhelos. Ai tha se e kishte autorizuar Sekretarin e Shtetit, Marco Rubio që t’ia bënte të qartë komitetit olimpik se “Amerika e refuzon kategorikisht marrëzinë transgjinore. Duam që ata të ndryshojnë gjithçka që ka të bëjë me Olimpiket dhe që ka të bëjë me këtë temë qesharake”.

Presidenti Trump tha gjithashtu se Drejtoresha e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem do të “mohojë çdo aplikim për vizë të bërë në mënyrë mashtruese nga burrat që përpiqen të hyjnë në Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që identifikohen si sportiste femra në përpjekje për të marrë pjesë në lojëra”.

Deri në publikimin e lajmit nuk ka patur reagime nga organizatorët e lojërave olimpike. Veprimtarë dhe organizata që mbrojnë të drejtat e transgjinorëve kanë ngritur padi kundër vendimeve të fundit të presidentit republikan. Kritikët thonë se urdhrat ekzekutiv shkelin ligjet e miratuara nga Kongresi dhe tejkalojnë autoritetin e presidentit. VOA