Fjalë Kyçe

U mashtrua nga burri se po shkojnë në pushime, përfundoi në luftën e Sirisë

U mashtrua nga burri se po shkojnë në pushime, përfundoi në luftën e Sirisë

Për disa nga gratë që janë kthyer nga Siria jeta dhe përvoja që kanë përjetuar atje ka qenë vullnet i Zotit. Të njëjtën e mendon edhe e mbrojtura e avokates Kimete Krasniqi. E mashtruar nga burri se po shkonin për pushime verore, ajo u bë pjesë e zonës së konfliktit në Siri bashkë me djalin e saj, tashmë 5-vjeçar, shkruan gazeta “Zëri”.

“Klientja ime thotë se ka qenë e mashtruar prej burrit të saj. Nuk ka pasur dijeni se është duke shkuar në Siri, sepse ai i ka thënë se po shkojnë në pushime dhe kur ka hyrë në Siri ajo e ka kuptuar që nuk ka qenë puna e pushimeve, por është mashtruar prej burrit për të shkuar në luftën e Sirisë. Pastaj burri i saj e ka vendosur në një shtëpi ku ajo ka qëndruar aty me djalin e saj dhe burri i saj ka shkuar në luftime. Deri në tre muaj ai ka vizituar gruan dhe djalin në shtëpinë private, mirëpo pas tre muajve klientes sime ia kanë vrarë burrin”, ka rrëfyer Krasniqi.

Krasniqi shprehet që klientja e saj t’i ketë thënë se kushtet e jetesës në Siri kanë qenë mesatare.

“Gratë që kanë qëndruar atje nuk kanë qenë në zonë të luftës sikurse burrat, mirëpo nuk na kanë thënë shumë për kushtet atje, sepse nuk janë shumë bashkëpunuese. Ato janë shprehur me fjalën ‘Elhamdulilah’, duke treguar se nuk kanë pasur shumë vështirësi, as nuk kanë pasur jetë të mirë, por jetë mesatare, mirëpo varet çka nënkuptojnë me jetën mesatare. Megjithatë, ato janë të lumtura që janë kthyer në Kosovë, për shkak se fëmijët u jetojnë në një ambient tjetër. Nuk kanë dhënë detaje tjera nëse janë penduar, sepse po thirren në atë që ky ka qenë vullneti i Zotit dhe nuk është se këto kanë mundur të vendosin”, ka thënë Krasniqi