Fjalë Kyçe

U nis për në Gjermani me lejeqëndrim të falsifikuar, dështon gjykimi i të akuzuarit

U nis për në Gjermani me lejeqëndrim të falsifikuar, dështon gjykimi i të akuzuarit

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, ka dështuar të mbahet gjykimi për falsifikim të dokumenteve, ku i akuzuar është G.T, i cili sipas aktakuzës ka falsifikuar lejeqëndrimin biometrik të Sllovenisë.

Ky gjykim ka dështuar për shkak të mungesës së të akuzuarit në fjalë, për të cilin kjo gjykatë njofton se ka pasur të lëshuar një urdhëresë për sjellje me forcë, urdhëresë kjo që sipas gjykatësit të çështjes Minir Hoti, nuk është realizuar dhe gjykata nuk është njoftuar për mosrealizimin e saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke qenë se nuk u plotësuan kushtet ligjore për mbajtjen e këtij gjykimi, gjykatësi Hoti tha se seanca e ardhshme do të caktohet pas marrjes së njoftimit nga Policia për mosrealizimin e urdhëresës.

Aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, sot në gjykatë e përfaqësoj prokurorja Ferdane Sylejmani.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 15.09.2021, G.T akuzohet se me datën 16.06.2021, rreth orës 09:30, në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, i pandehuri ka tentuar të udhëtoi nga Prishtina për në Gjermani me autobusin e firmës “Barileva Turist”, me tabela të regjistrimit 01-939-PH dhe gjatë kontrollimit të dokumenteve nga Policia e ka prezentuar pasaportën e RKS me numër P01873384 dhe lejeqëndrimin biometrik të Sllovenisë me numër 000438170, me ç’rast pas ekzaminimit nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka rezultuar se lejeqëndrimi është falsifikim i plotë.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 par.1 të KPRK-së.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, neni 390 par.1 thotë se: “1. Kushdo që përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal ose me dije përdor dokumentin e falsifikuar apo të ndryshuar si origjinal, dënohet me gjobë ose me burgim deri në katër (4) vjet”.