Fjalë Kyçe

U vaksinuan në Shqipëri, MSH-ja tregon a do ta marrin mjekët dozën e dytë të vaksinës në Kosovë

U vaksinuan në Shqipëri, MSH-ja tregon a do ta marrin mjekët dozën e dytë të vaksinës në Kosovë

Vaksinimi kundër Covid-19 i 500 punëtorëve shëndetësorë nga Kosova në Shqipëri kishte filluar më 20 mars, ndërsa vetëm nëntë ditë më vonë procesi i vaksinimi filloi edhe në Kosovë, me prioritet punëtorët shëndetësorë.

Punëtorët shëndetësorë kosovarë në Shqipëri kishin marrë vaksinën AstraZeneca, derisa e njëjta i’u dha edhe grupit të parë të punëtorëve shëndetësorë të vaksinuar në Kosovë, në procesin e filluar më 29 mars.

E duke qenë se tashmë Kosova është duke siguruar vaksinat anti-Covid, punëtorët shëndetësorë që dozën e parë të vaksinës e kanë marrë në Shqipëri, atë të dytën kanë mundësi ta marrin në Kosovë.

Kështu kanë bërë të ditur nga Ministria e Shëndetësisë për lajmi.net.

“Punëtorët shëndetësor nga Kosova që janë vaksinuar në Kukës, munden që dozën e dytë, nëse nuk e marrin në Shqipëri, ta marrin në Kosovë, të së njëjtës vaksinë”, thuhet në një përgjigje të MSH-së dërguar lajmi.net.

Nga MSH-ja shkurt janë përgjigjur edhe nëse të vaksinuarit me dozën e parë në Shqipëri do të kenë prioritet për dozën e dytë, karshi punëtorëve mjekësorë që dozën e parë e kanë marrë në Kosovë.

“Ata do ta marrin atë brenda afateve kohore që kërkohet”, kanë thënë nga kjo ministri.

Dozat e para të vaksinës kundër Covid-19 në Kosovë kanë arritur më 28 mars, ndërsa vaksinimi ka filluar të nesërmen. 24 mijë doza të vaksinës AstraZeneca kishin ardhur nga programi programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Ndërkaq, më 4 maj në Kosovë kanë arritur 4,680 doza të vaksinës Pfizer/BioNTech, ndërsa më 10 maj kanë arritur edhe mbi 3 mijë doza të së njëjtës vaksinë.
Kurse, vetëm sot (12 maj) në Kosovë kanë arritur 38 mijë e 400 doza të vaksinave AstraZeneca, po nga programi COVAX.

UNICEF nëpërmjet një komunikate për media bën të ditur se deri në fund të këtij muaji në Kosovë do të mbërrijnë 100 mijë e 620 doza të vaksinës Pfizer.