Fjalë Kyçe

Udhëheqësit e ShSKUK-së premtojnë ndarje të barabartë buxhetore për spitalet e përgjithshme

Udhëheqësit e ShSKUK-së premtojnë ndarje të barabartë buxhetore për spitalet e përgjithshme

Kryesuesja e Bordit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Agreta Gecaj- Gashi, anëtarët e bordit dhe drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, vizituan Spitalin e Përgjithshëm të Mitrovicës dhe të Vushtrrisë, për të parë nga afër punën dhe për të dëgjuar shqetësimet e punëtorëve shëndetësorë, derisa i falënderuan ata për angazhimin dhe menaxhimin me sukses të Pandemisë COVID-19.

Në njoftimin e ShSKUK thuhet se kryetarja e bordit dhe drejtori i ShSKUK i inkurajuan drejtuesit e këtyre dy spitaleve që të vazhdojnë të punojnë me përkushtim dhe përgjegjësi.

Me këtë rast atyre iu premtuan kushte më të mira pune dhe mbështetje të pa rezervë në implementimin e projekteve për modernizimin e hapësirave spitalore.

Kryesuesja Gecaj- Gashi dhe drejtori Krasniqi, i siguruan se, pa dallim, në mënyrë të barabartë, do të ndahen mjete financiare për të gjitha spitalet e përgjithshme, me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës dhe përmbushjes së nevojave tjera imediate, përcjell Telegrafi.

Ndërkaq, u njoftuan se në Spitalin e Vushtrrisë ka përfunduar zgjerimi i rrjetit të oksigjenit, në të cilin do të mund të lidhen të gjithë shtretërit, ndërsa në atë të Mitrovicës do të fillojë së shpejti.

Të dy spitalet, muaj më parë, janë pajisur me rezervuar të oksigjenit, të cilët kanë kapacitet të mjaftueshëm për të ofruar furnizim të qëndrueshëm me oksigjen.

Drejtuesit e SHSKUK-së vizituan edhe Qendrën e Shëndetit Mendor në Mitrovicë.