Në mbledhjen e mbajtur sot në Komisionin Qendror Zgjedhor është miratuar edhe udhëzimi që përcakton se me cilat dokumente mund të votojnë qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e parakohshme.
Kjo pikë përplasi anëtarët e KQZ-së. Ajo u kundërshtua nga anëtari i KQZ-së nga radhët e Listës Serbe, Svetan Veselinoviq.
Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka tha se qytetarët e Kosovës në ditën e votimit në vendvotime mund të identifikohen me të gjitha dokumentet valide të Republikës së Kosovës, ashtu siç e parasheh ligji. Sipas saj, kujdes duhet pasur me personat emrat e të cilëve ende figurojnë me dokumente të UNMIK-ut, të cilët mund të manipulohen pastaj.
“Në të gjitha zgjedhjet ka pasur keqkuptime rreth asaj, se me cilat dokumente qytetarët e Kosovës mund të identifikohen në ditën e zgjedhjeve, andaj KQZ-ja edhe këtë herë ka vendosur që ta lëshojë një udhëzim administrativ për komisionet komunale zgjedhore dhe për këshillat e vendvotimeve, dhe t’i njoftojë se dokumentet e identifikimit të votuesve sipas nenit 90 të Ligjit për Zgjedhjet janë letërnjoftim i vlefshëm, pasaportë valide, dokument i vlefshëm i udhëtimit dhe leje vozitje e vlefshme e Republikës së Kosovës. Që të jetë edhe më e qartë kjo pikë është shtuar se që të jetë dokument i vlefshëm konsiderohen të gjitha dokumentet e Republikës së Kosovës ashtu siç janë paraparë me nenin 90”, tha Daka.
Ky udhëzim administrativ u kundërshtua nga anëtari i KQZ-së nga radhët e Listës Serbe, Svetan Veselinoviq, i cili në shenjë proteste ka braktisur mbledhjen e KQZ-së. Sipas tij, përmes këtij udhëzim administrativ Komisioni Qendror Zgjedhor ka marrë një vendim në kundërshtim me ligjin.
“Jam i befasuar me këtë udhëzim të KQZ-së që të marrë vendimin sot. Sa herë që janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme ose të rregullta KQZ-ja ka marrë udhëzime administrative, e cila merrte për bazë rregullat zgjedhore në bazë të të cilave ne duhet të marrim të gjitha vendimet lidhur me zgjedhjet. Pika një këtu, janë hequr disa dokumente. Pika numër dy. Askund në artikull nuk qëndron ajo që është marrë këtu dhe ky është një tentim që ligji të shkelet ashpër dhe të rregullave zgjedhore. Nëse dëshironi të bartni diçka në nivelin politik, atëherë duhet ndryshuar ligjin dhe rregullat zgjedhore dhe jo që KQZ të marrë vendim në kundërshtim me ligjin dhe rregullat zgjedhore. Ju lus të shikoni me vëmendje ligjin, i cili është shumë i qartë dhe në bazë të kësaj të shikoni se si do të vendosni në pikën e rendit të ditës. Në bazë të votimit do të shohim se çfarë do të ndërmarrim”, tha ai.
Në anën tjetër Daka ia ka sqaruar duke i thënë se KQZ nuk ka bërë shkelje duke dhënë udhëzime administrativ për identifikim të të votueseve në vendvotime.
Sipas saj me kartelë të vlefshme të refugjatëve mund të votohet vetëm jashtë Kosovës.
“Kartela e vlefshme e refugjatit vlen për ata të cilët votojnë jashtë Kosovës, ata persona mund të identifikohen dhe këto dokumente nuk lëshohen nga Kosova, pra kartelat e vlefshme të personave të zhvendosur nuk lëshohen nga Kosova, por nga shteti ku janë të zhvendosur si dhe refugjatëve ato dokumente nuk i kemi eliminuar, ato dokumente mund si dokument identifikimi për personat që aplikojnë për regjistrim si votues jashtë Kosovës, ato nuk janë larguar, vlejnë edhe më tutje, por me ato dokumente nuk mund të identifikohen në ditën e votimit. Sa i përket asaj që nuk ka të drejtë KQZ edhe me ligjin për zgjedhjet e përgjithshme ka të drejtë të bëjë udhëzime administrative dhe rregullore me këtë rast ne nuk e kemi ndryshuar ligjin, por vetëm e kemi qartësuar”, tha Daka.
Në anën tjetër sqarime ka pasur edhe Adnan Rrustem anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Procesi zgjedhor në vendvotim identifikimi bëhet vetëm me dokumentet të Kosovës pasaportë, letërnjoftime, leje të vozitjes, nuk ka asnjë arsye as teknike për interpretime tjera, sepse të gjithë votuesit që janë të përfshirë në listën e votuesve tashmë i kanë këto dokumente… Arsyeja si me thënë refuzim i qëllimshëm politik mos e përdor dokumentin që tashmë posedon, kështu që ky është vendim i drejtë i KQZ-së ”, tha ai.
Ndonëse me shumë dilema rreth nevojëS për shtim të personalit edhe për 99 persona, Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar edhe kërkesën e Sekretariatit për rritjen e stafit jo permanent që do të angazhohen për kryerjen e detyrave që dalin nga zgjedhjet e parakohshme.
Në këtë mbledhje kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi tha se që nga 30 gushti kur edhe ka nisur aplikimi për regjistrim për votuesit jashtë vendit deri tani kanë pranuar 15 mijë e 200 aplikime, të cilat janë në fazën e vlerësimit.
Sipas tij gjithçka deri më tani ka shkuar sipas planit operativ që është votuar në Komisionin Qendror Zgjedhor.
KQZ ka miratuar edhe raportin e shpenzimeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar në komunat Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar 311 mijë e 791 euro.
Ndërsa, Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovë, ka njoftuar se LDK e ka dërguar te presidenti për dekretim emrin për anëtarin tjetër në KQZ e që është Salih Morina.