Detaje të reja kanë dalë në lidhje me zyrtarin rus të UNMIK-ut, i cili ditë më parë u shpall i padëshiruar në Kosovë. Ai pengoi punën e Policisë së Kosovës përkundër që në misionin ku shërbeu ishte marrë vendim që punëtorët të mos largoheshin nga zyrat dhe vendbanimet e tyre gjatë kohës së aksionit.
Në mesazhin e brendshëm që UNMIK-u kishte shpërndarë për stafin e tij një natë para aksionit të Policisë së Kosovës në veri, një kopje të së cilës e ka siguruar edhe RTV Dukagjini, punonjësve të misionit u kërkohet që të qëndrojnë në bazat e tyre ose vendbanime dhe të shmangin çdo lëvizje në drejtim të veriut të Kosovës, për shkak se do të ndodhte një operacion policor.
Por, ky mesazh nuk i kishte bërë përshtypje zyrtarit të këtij misioni, rusit Mikhail Krasnochenkov. Ai, pos që ka qëndruar në veri, ka përdorur edhe veturën zyrtare për të penguar aksionin e Policisë së Kosovës.