Fjalë Kyçe

UP-ja mirëpret 6000 studentë të rinj

UP-ja mirëpret 6000 studentë të rinj

Për nder të ardhjes së studentëve të rinj, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka organizuar Ditën e Orientimit të Studentëve të Rinj, në të cilën këta studentë patën rastin që nga afër të njihen me studimet në UP.

Të pranishmëve, me një fjalë rasti, iu drejtua rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, i cili tregoi për rëndësinë e fillimit të studimeve.

“Sot UP-së iu bashkuan rreth 6000 studentë të rinj, e unë jam shumë i lumtur që të gjithë ju ia dolët me sukses rrugëtimit tuaj deri tek universiteti më prestigjioz dhe më i vjetër i vendit tonë, ëndërr dhe synim i secilit të ri kosovar”, tha rektori.

Për rektorin Dema, 1 tetori ka edhe një veçanti tjetër, atë të protestave të studentëve, të cilët e ngritën zërin e tyre kundrejt padrejtësive të kohës.

“1 tetori është i veçantë, jo vetëm për faktin se kampusi gjallërohet nga ardhja e juaj, por edhe për shkak të peshës historike që kjo datë përçon. Po në këtë ditë, 22 vjet më parë, studentët tanë ngritën zërin e fuqisë se dijes, duke bërë që ky zë të jetë vendimtar për fatin e shtetit tonë”, theksoi ai.

E për të rrëfyer përjetimet e kohës sa ishte pjesë e UP-së, në emër të të diplomuarve foli aktori Fatmir Spahiu, i cili porositi studentët e rinj që të mos dorëzohen përballë sfidave.

“Studentët e këtij universiteti kanë bërë demonstratat, kanë krijuar rezistencën paqësore të Kosovës, kanë shpallur Kosovën shtet të pavarur dhe sovran dhe askujt në këtë Kosovë nuk i takon më shumë sesa studentit të UP-së ta bëjë Kosovën me standarde të larta evropiane”, tha ai.

Ndërsa, për t’i uruar studentët e rinj në nisjen e këtij rrugëtimi, të pranishmëve iu drejtuan edhe kryetari i Parlamentit të Studentëve, Edon Nishori, dhe studenti ambasador Lirim Isufi, të cilët uruan që kjo nisje të jetë e mbarë.

Në këtë event, i cili po organizohet për herë të dytë, të pranishmit patën rastin të shohin performancë të karatesë nga studentët e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sporteve dhe performancë muzikore nga studentët e Fakultetit të Arteve.