Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn. Përmes kësaj letre, ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn konfirmoi gatishmërinë e shtetit gjerman për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.
Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nis menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.
Gjatë një konferencë për media të mbajtur sot nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Uran Ismaili dhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.
“Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë Ismaili.
Sipas Ismailit projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.