Skuadra e elitës së futbollit amerikan, Austin FC, pritet ta thyejë rekordin për herën e tretë në gjashtë muaj, duke e transferuar sulmuesin shqiptar, Myrto Uzuni. Mediat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkruar të enjten se për Uzunin, Austin FC do të shpenzojë 12 milionë euro. Austin FC po bëhet skuadër shumë e fortë në MLS dhe është afër që ta bëj transferimin më të shtrenjtë në historinë e klubit. Ekipi nga Teksasi e ka thyer rekordin dy herë në transferime në gjashtë muajt e fundit. Tani është gati që ta aktivizojë klauzolën e lirimit të Uzunit, 29-vjeçarit të Shqipërisë, i cili aktualisht aktivizohet te Granada e kategorisë së dytë të futbollit spanjoll.
Austin FC fillimisht e kishte blerë sulmuesin ganez, Osman Bukari, për 7 milionë euro, ndërsa për 9.6 milionë euro e kishte blerë Brandon Vazquezin. Transferimi i Uzunit jo vetëm që do të shfaqte ambiciet e klubit Austin, por edhe sinjalin ndaj klubeve tjera amerikane se po synon të kthehet në njërën prej ekipeve më të mira në ligë. Uzuni ka shkëlqyer me klubin e Granadas në La Liga 2 dhe është bërë golashënuesi më i mirë në histori të këtij klubi.
Por ai ka prishur raportet me drejtuesit e klubit së fundmi dhe ka refuzuar të stërvitet. Në 18 ndeshjet e këtij edicioni, Uzuni ka kontribuuar me 14 gola e një asistim. Uzuni, që u lind në Berat, ka luajtur për Tomorin, Apoloninë, Laçin, Lokomotivën e Zagrebit e Ferencvaroshin e Hungarisë. Më 31 janar të vitit 2022, ai ishte transferuar te Granada nga Ferencvaroshi për 4 milionë euro. Uzuni me Shqipërinë ka 38 paraqitje dhe pesë gola të shënuar.