Fjalë Kyçe

Vaksinat e mëparshme ulin rrezikun e koronavirusit

Vaksinat e mëparshme ulin rrezikun e koronavirusit

Ndërsa liderët e vendeve punojnë për të vendosur nën kontroll përhapjen e koronavirusit, kërkuesit në të gjithë botën po punojnë për t’i dhënë përgjigje mistereve që mbeten rreth infektimeve.

Një prej këtyre mistereve është përse eksperienca mund të jetë kaq e ndryshme nga një person te një tjetër. Një ekspert thotë se përgjigjja mund të kërkojë një shqyrtim më nga afër të vaksinave të mëparshme që një individ ka bërë.

“Kur shohim elementët e sëmundjes së Covid-it, ne shohim se njerëz që kanë patur më parë vaksinime për pneumokok, grip, hepatit etj, duket se janë më pak të rrezikuar të preken nga koronavirusi”, thotë Endriu Badley, specialist i sëmundjeve infektive.

Kjo është ajo që imunologët e quajnë trajnim imuniteti; si sistemi imunitar krijon një përgjigje efektive për të luftuar një infeksion. Një analogji e mirë është ta mendosh sistemin imunitar si një muskul. Sa më shumë ta stërvisësh atë muskul, aq më i fortë do të jetë ai kur të kesh nevojë për të – thotë ai. Nuk ka prova vendimtare se ndonjë nga vaksinat e mëparshme rrit imunitetin kundër Covid-19. Por disa kërkues kanë sugjeruar se kjo është e mundur. Në fakt, muajin e kaluar kërkuesit zbuluan se vendet ku shumë njerëz kanë marrë vaksinën e tuberkulozit BCG kanë një shkallë më të ulët vdekshmërie nga koronavirusi.

Por nëse infektohesh, çfarë mund të bësh për ta kaluar sëmundjen me simptoma minimale apo pa simptoma fare. Rreth 40 përqind e të infektuarve me virusin nuk kanë simptoma. Ekspertët thonë se maska bën këtu diferencën. Ajo redukton sasinë e virusit që hyn në trup nëse infektohesh dhe bën që të kesh në organizëm një dozë më të vogël virusi që mund ta menaxhosh. Në këtë mënyrë mund të kesh një reagim të qetë, me simptoma të lehta ose pa simptoma fare.