Valon Berisha ishte një nga afrime më të bujshme të Lazios gjatë verës.
Futbollisti, që luan dhe për përfaqësuesen e Kosovës, erdhi me pritshmëri të larta te skuadra e drejtuar nga Inzaghi. Mirëpo deri më tani, për shkak të dëmtimit dhe konkurencës, Berisha ka gjetur pak hapësira te skuadra laciale.
Për këtë arsye, siç raporton “Thelaziali”, futbollisti i talentuar mund të kërkojë largimin nga skuadra “bardhekaltër”. Ai mësohet të ketë kërkuar më shumë hapësira për të luajtur, në të kundërtën do të kërkojë largimin nga kryeqyteti italian.
Mirëpo, sipas këtij sajti informativ pranë klubit të Lazios, mësohet se Igli Tare nuk ka ndërmend të bëjë Valon Berishën një nga emrat që do të largohet nga skuadra këtë muaj. Prandaj, duket se klubi do të krijojë më shumë hapësira për kosovarin në javët në vijim. Berisha është një talent i vërtetë dhe nëse luan me Lazion, skuadra mund të përfitojë shumë nga shërbimet e tij.
Problemi i vetëm i mundshëm është konkurrenca, pasi Valon Berisha përballet me një repart të mbipopulluar në mesfushë, me Marco Parolo, Sergej Milinkoviç Savic, Lucas Leiva, Milan Badelj, Alessandro Murgia dhe Danilo Cataldi të gjithë të aftë për të plotësuar rolin.
Kështu, Lazio është e detyruar të ndahet me të paktën një nga mesfushorët e tyre këtë janar, qoftë edhe duke e huazuar apo shituar përgjithmonë, raportojnë mediet shqiptare.