Fjalë Kyçe

Varfëria kaplon banorët në qendër të Prishtinës

Varfëria kaplon banorët në qendër të Prishtinës

Vetëm pesë minuta larg qendrës së Prishtinës, varfëria ka mbuluar një lagje të tërë. Shumë prej familjeve që banojnë në afërsi të parkut të qytetit, përballen me varfëri të skajshme tash e sa vite. Përveç kushteve të rënda ekonomike, ata sapo hapin derën përballen edhe me baltën nga rruga e pa asfaltuar dhe mbeturinat e shumta rreth shtëpive.

Derisa plot gra kishin marrë rrugën për në parkun e qytetit e po shëtisnin me fëmijët e tyre, një grua rreth të 40’ve i kishte vënë duart në faqe e po i shikonte me lakmi. Edhe ajo kishte dëshirë të dilte me fëmijët e saj, por tani kishte hall më të madh.

Për më shumë se një orë, ajo po mendonte se si t’ua siguronte bukën shtatë fëmijëve të saj për në mbrëmje.

Të menduarit për këtë, tashmë i është bërë edhe shprehi për shkak të kushteve të rënda ekonomike me të cilat përballet tash e sa kohë. Por, ndonëse ka vite që përballet me varfëri të skajshme, nuk i ka humbur shpresat kurrë se do të kenë një jetë më të mirë.

“Këtu ulem çdo ditë, e mendohna qështu. Edhe unë kam qef me dal e me u shëtit me fëmijët e mi si të tjerat gra, po unë kam zor ma të madh. Duhna me mëndu çka kam me iu shtru fëmijëve në sofër çdo ditë. Po, bahet mirë herët a vonë. Ishalla e bajmë një shpi të mirë për qëta fëmijë bile”, thotë ajo me lot në sy.

Hall të njëjtë më të ka edhe zonja tjetër që banon në po këtë lagje. Ajo është nënë e 15 fëmijëve, e banon në një shtëpi që nuk i plotëson as kushtet elementare për banim.

B. H tregon për Express se ka më shumë se pesë vite që jeton brenda kësaj shtëpie bashkë me burrin e 15 fëmijët e tyre. Të papunë, ata mezi ia dalin që t’i ushqejnë fëmijët.

“Po këtu banoj bashkë me 15 fëmijët. I kemi kushtet e rënda qysh po e shihni. Këtu jetoj unë bashkë me fëmijët e burrin. Jemi të papunë të dytë, e mezi po mbrrijmë me jetu”, rrëfen ajo.

Gjatë këtyre viteve, thotë se përveç gazetarëve nuk e ka vizituar askush, deri tash së fundi kur është vizituar nga Halil Kastrati, i cili edhe i ka premtuar se do t’i ndërtojë shtëpinë.

“Ka qenë Halil Kastrati na ka pa në çfarë gjendje po jetojmë, edhe ishalla po bahet mirë e po bahemi me shtëpi. Na ka premtu që ka me na e ndërtu një shtëpi, e po presim çka po bahet tash”, thotë 45 vjeçarja.

Këto dy familje nuk janë të vetmet në këtë lagje që jetojnë në kushte të vështira ekonomike. Shumë prej familjeve që banojnë në afërsi të parkut të qytetit, përballen me varfëri të skajshme tash e sa vite.

Shtëpi të dëmtuara që nga themeli e deri në kulm, e pa kushte elementare për jetesë të bien në sy sapo të nisesh rrugës me baltë që të dërgon drejt shtëpive të tyre. Të rrallë janë ata që mund të shpëtojnë kur të kalojnë këtë rrugë pa u rrëzuar në rrugën e ngushtë e përplot baltë.

E përveç kushteve të rënda ekonomike, banorët e këtyre familjeve sapo hapin derën përballen edhe dhe mbeturinat e shumta rreth shtëpive, të cilat u rrezikojnë edhe shëndetin.

Në gjithë rrugët e kësaj lagjeje ka plot mbeturina, si pasojë e të cilave e gjithë lagjja kundërmon tmerrshëm. Por, pavarësisht kësaj, banorët janë të detyruar që çdo ditë të kalojnë asaj rruge. Gjendja e tyre duket se do të mbesë e njëjtë edhe për kogja kohë, pasi që siç thonë ata janë lënë në harresë. Besimi në institucione u ka humbur, e shpresat po i mbajnë te humanisti Halil Kastrati. Secila familje, e pret vizitën e tij për çdo ditë.

Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 17.6 për qind e kosovarëve jetojnë në varfëri me nga 1.82 euro në ditë, ndërsa 5.2 për qind në varfëri ekstreme me nga 1.30 euro në ditë.
Sipas raportit të ASK’së, vetëm gjatë vitit 2017, përfitues të pensioneve nga skemat sociale kanë qenë 26 mijë e 117 persona nga e gjithë Kosova, për të cilët janë shpenzuar rreth 28 milionë euro.
Me kërkesë të tyre të intervistuarat mbeten anonime.