Fjalë Kyçe

Varhelyi: Non papersat nuk janë të vërtetë, nuk ka ndryshim kufijsh

Varhelyi: Non papersat nuk janë të vërtetë, nuk ka ndryshim kufijsh

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, nga Tirana komentoi edhe idetë për ndryshim kufijsh në Ballkan. Në një konferencë me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, politikani hungarez tha se nuk janë të shqetësuar për “non papers” pasi ato nuk janë të vërteta.

Ndonëse në Prishtinë nuk pati kohë për pyetje, Varhelyi iu përgjigj të gjitha atyre që iu bënë në Tiranë. Ndër to, ishte edhe për idenë e dokumenteve të ashtuquajtura “non paper” ku flitet për ndryshime kufijsh. Varhelyi tha se përveç se nuk ishte e vërtetë një gjë e tillë, nuk janë dakord me asnjë pjesë të saj.

“Është në fakt si një stinë ku ne po shikojmë se kanë lulëzuar dokumente të tilla që quhen ‘non paper’. Është interesante kur dëgjojmë lajme të tilla edhe pse jemi të bindur se asnjë nga këto ‘non papers’ nuk janë në fakt të vërteta. Po të ishin të vërteta atëherë do të ishim të shqetësuar, sepse sigurisht që ripërcaktimi i kufijve në Ballkanin Perëndimor e dimë të gjithë se ku na çon kjo lloj gjëje.

Kështu që nuk besoj dhe jam i mendimit që asnjë person serioz nuk do ta vinte një gjë të tillë mbi tryezë për të diskutuar mbi të dhe në veçanti në këtë rajon ku jemi. Nuk jemi dakord ne asnjë pjesë të saj, kështu që nuk mendoj se këto janë ide të vërteta dhe reale, por ndoshta u shërben më shumë disa synimeve të tjera.

Unë ndihem mjaft mirë dhe jam shumë i qetë pikërisht për faktin se ato janë njoftuar pikërisht nga ata persona të cilëve u është atribuuar ky dokument, ky ‘non paper’”, deklaroi komisioneri i BE-së, raporton kp.

Varhelyi tha se ndjen zili për personat që kanë kohë të bëjnë dokumente të tilla, ndërsa tha se duhet të mendohet se si të arrihet sukses në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështjet e tjera me shtetet e rajonit.

Ndërsa, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se vizioni i tij është Shengeni rajonal si rruga e vetme në të cilën duhet të ecin shtetet e Ballkanit Perëndimor, një projekt ky i kundërshtuar nga Kosova. Ndërkohë, vijoi Rama, vendet e Ballkanit duhet të diskutojnë në mënyrë të civilizuar mospajtimet mes tyre.