Fjalë Kyçe

Varianti Delta godet pa dallim moshe, tre fëmijë të shtrirë në spital

Varianti Delta godet pa dallim moshe, tre fëmijë të shtrirë në spital

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 ditët e fundit në Kosovë po shihet mjaft shqetësuese dhe ‘kërcënon’ me shtrëngim të masave. Ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm rastet me të infektuar me COVID-19, vetëm në 24 orëshin e fundit janë regjistruar 888 raste të reja me koronavirus dhe një viktimë.

Shifrat alarmante po shkojnë drejt rritjes çdo ditë, ndërsa apelohet tek qytetarët që të vaksinohen. Me rritjen e rasteve të reja, është shtuar edhe numri i pacientëve të shtrirë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë të infektuar me variantin Delta.

Këtë e konfirmoi Ministria e Shëndetësisë në një përgjigje për lajmi.net, edhe pse nuk dhanë shifër të saktë të të infektuarve me këtë variant.

“Në SHSKUK (QKUK dhe spitalet e përgjithshme), janë të hospitalizuar 186 pacientë, prej të cilëve 136 të konfirmuar me COVID-19. Pjesa më e madhe e tyre janë nga varianti Delta (SARS COV2)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Sa i përket moshave të prekura nga ky variant i COVID-19, MSH njofton se mosha e shtyrë është më e prekur, por janë të shtrirë edhe tre fëmijë.

“Të prekur ka nga të gjitha moshat, me një dominancë të moshave të shtyra. Janë edhe tre fëmijë, dy në Pediatri dhe një më i rritur është në Infektivë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Kujtojmë se, Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, në raportin 24-orësh njofton se gjatë kësaj periudhe janë dhënë 16.905 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 521.737 doza të vaksinës, kurse deri më sot 174.991 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë. Në total, numri i rasteve aktive është 3.489.