Fjalë Kyçe

Vasfije Krasniqi: Dënimi i Zoran Vukotiqit i inkurajon edhe viktimat e tjera të kërkojnë drejtësi

Vasfije Krasniqi: Dënimi i Zoran Vukotiqit i inkurajon edhe viktimat e tjera të kërkojnë drejtësi

Viktima e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, Vasfije Krasniqi, dënimin e Zoran Vukotiqit për një krim makabër që i ndodhi edhe asaj e vlerëson si inkurajim për viktimat e tjera që të kërkojnë drejtësi.

Krasniqi tha për Klankosova.tv se dënimi duhej të ishte më i lartë se 10 vjet, por megjithatë e sheh si shenjë se drejtësia po shkon në vend.

“Ky dënim nuk është i madh duke marrë parasysh përjetimet e saj, por kjo i inkurajon edhe viktimat e tjera që të kërkojnë drejtësi. Kjo është një shenjë që drejtësia po shkon në vend. Është hera e parë që pas 22 vjetësh në Kosovë po dënohet një person për këtë krim”.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje bëri thirrje që drejtësia ta bëjë punën e saj.

“Unë po shpresoj që drejtësia ta bëjë punën e vet. Edhe shkalla e dytë e gjykatës. Jo të veprojë sikur në rastin tim dhe t’i lë kryesit e veprës të lirë”.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim Zoran Vukotiqin për krime lufte kundër popullatës civile, përkatësisht dhunim seksual ndaj një gruaje shqiptare në komunën e Vushtrrisë.

Ky është dënimi i parë që shqiptohet nga gjykata vendore në Kosovë.