Fjalë Kyçe

Vasfije Krasniqi heq dorë nga pozita e deputetes

Vasfije Krasniqi heq dorë nga pozita e deputetes

Vasfije Krasniqi ka hequr dorë nga posti i deputetes në Kuvendin e Kosovës.Përmes një njoftimi në Facebook, deputetja nga radhët e LVV-së, bëri të ditur se këtë vendim e mori pasi është në trajtim mjekësor dhe nuk mund të realizojë obligimet si deputete.

Krasniqi shtoi se do vazhdojë me aktivitetin e saj në angazhimin publik për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka falënderuar Lëvizjen Vetëvendosje për mundësinë dhe hapësirën e dhënë për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të Vasfije Krasniqit:

“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,

Duke qenë se jam në një trajtim mjekësor, dhe si rezultat në këtë fazë të trajtimit më duhet që për çdo muaj të kem vizita të rregullta, dhe përderisa i njëjti mund të zgjas, mua më vështirësohet, përkatësisht pamundësohet tani dhe ndoshta edhe në të ardhmen realizimi i obligimeve të mija si deputete. Kështu edhe përkundër dëshirës sime që unë të vazhdoj me përfaqësimin e juaj në Kuvend, më duhet të ju njoftoj se unë kam vendosur të japë dorëheqje nga pozita e deputetes.

Rrjedhimisht për këtë dorëheqje sapo kam njoftuar edhe Kryetarin e Kuvendit z. Glauk Konnjufca, si dhe kryesinë e Kuvendit.Sidoqoftë ashtu si edhe deri më sot, unë do të vazhdoj angazhimin publik për Kosovën në SHBA, sidomos në Kongresin Amerikan. Si rezultat i këtij angazhimi besoj që së shpejt do të shihen të arriturat e para.

Kam besimin e plotë që së bashku me miq, njerëz të vullnetit të mirë, punëtorë e vizionarë, kauza e fitores së drejtësisë në Kosovë do të triumfojë.Gjithsesi më lejoni të falënderoj Lëvizjen Vetëvendosje për besimin, hapësirën, mbështetjen dhe qasjen ndaj meje, falenderim i veçant për Kryeministrin e Rebublikës së Kosovës z: Albin Kurti i cili vërtet ka treguar se është i gatshëm dhe i vendosur që çështjen e krimeve të luftës ta trajtoi seriozisht, nuk duhet harruar as, të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur në Kuvendin e Republikës së Kosovës të cilët vërtet treguan se përtej dallimeve politike dhe politikave ditore mund të mbizotërojë njerëzorja tek secili prej nesh.E në fund falënderimi më i madh u shkon qytetarëve të Republikës së Kosovës të cilët duke më dhënë besimin, më dhanë edhe mundësinë dhe nderin t’i përfaqësoj në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Me respekt të thellë,e juaja Vasfije Krasniqi!”