Vasfije Krasniqi – Goodman që të martën ka dëshmuar para Komitetit për Punë të Jashtme të Kongresit Amerikan, përmes një postimi në Facebook, ka falënderuar të gjithë për përkrahjen.
E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës, me ftesë të udhëheqësit të Komitetit, Eliot Engel, ka rrëfyer historinë e saj, kur në moshën 16-vjeçare u dhunua nga policë serbë.
Ajo thotë se s’do të ndalët së kërkuari drejtësi.
Shkrimi i plotë:
Dua t’ju falenderoj nga zemra për mesazhet e pafunda që me keni dërguar sot dhe dje.
Unë isha e nderuar që me ftesë të Kongresmenit Engel dhe Kongresmenit McCaul të jap dëshminë në Kongresin Amerikan për krimet e Serbisë gjatë luftës në Kosovë.
Unë jam një nga 20.000 gratë dhe burrat ndaj të cilëve është ushtruar terror dhe dhunë seksuale.
Ata që u munduan të më poshtërojnë dhe lëndojnë ende janë të lirë. Drejtësia ka dështuar në rastin tim. Drejtësia ka dështuar për viktimat e luftës së Kosovës.
Por unë kurrë nuk do të ndalem së thëni të vërtetën time dhe kurrë nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi!