Që nga data 27 gusht, pyjet e Gjakovës në brezin kufitar me Shqipërinë po vazhdojnë të digjen.
Për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve përveç policisë dhe zjarrfikësve, është aktivizuar edhe ushtria .
Vetëm sot në terren janë 9 njësi të zjarrfikësve nga qytete të ndryshme që po asistojnë në shuarjen e zjarrit.
Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin, zëdhënësja e policisë së Gjakovës, Lirie Podrimaj.
“Një pjesë e madhe e zonës malore që është në zonën e përgjegjësisë së DPR-Gjakovë është përfshirë nga zjarri që nga data 27.08.2019. Lidhur me këtë rast janë njoftuar të gjitha njësitë relevante të cilat vazhdojnë të punojnë në terren dhe kanë arritur të shuajnë një pjesë të madhe të zjarrit, vetëm sot i kemi janë 9 njësi të zjarrfikësve nga qytete të ndryshme që po asistojnë në shuarjen e zjarrit”, ka thënë Podrimaj.
Ajo ka shtuar se zjarret nuk paraqesin rrezik për banorët.
“Për shkak të terrenit të pa përshtatshëm dhe pamundësisë së zjarrfikësve për të arritur në afërsi të lokacionit një pjesë e zjarrit nuk është arritur të shuhet. Bazuar në informatat nga terreni nuk ka rrezik për banorët”, u shpreh Podrimaj.