Mijëra qytetarë kanë protestuar të shtunën në Beograd kundër Qeverisë së Serbisë, në demonstratat që po vazhdojnë që nga dhjetori i vitit të kaluar, çdo fundjavë.
Protestuesit kanë brohoritur thirrje për dorëheqjen e presidentit Aleksandar Vuçiq.
Protestat antiqeveritare “Një në pesë milionë” mbahen në Beograd çdo të shtunë qysh më 8 dhjetor të vitit të kaluar. Në ndërkohë, ato janë shtrirë edhe në qytete të tjera të Serbisë.
Ato kishin filluar si reagim për sulmin ndaj liderit opozitar, Borko Stefanoviq i cili ishte rrahur brutalisht nga sulmues të maskuar, transmeton REL.
Protestuesit që përfshijnë figura publike, politikanë të opozitës, profesorë universitetesh e të tjerë, kërkojnë më shumë hapësirë në televizionin publik, pastaj zbulimin e urdhëruesve dhe kryesve të, siç thonë, sulmeve ndaj qytetarëve, gazetarëve, aktivistëve dhe politikanëve, si dhe publikimin e “planit për zgjidhjen e çështjes së Kosovës”.
Vuçiq ishte tallur me protestuesit, duke thënë se ai nuk do të plotësojë kërkesat e tyre “edhe nëse pesë milionë njerëz protestojnë”. Që nga atëherë, protestat nuk janë ndalur nën sloganin “Një në pesë milion”.
Protesta të shtunën janë mbajtur edhe në disa qytete të mëdha në Serbi.