Në ditën e 14-të në malin e Karaburunit zjarret kanë qenë aktive dhe disa vatra të rrezikshme. Deri në orët e para së dielës zjarrfikës, ushtarë dhe banorë të Dukatit kanë luftuar me flakët të cilat të ndihmuara dhe nga era kanë përparuar me shpejtësi duke djegur shkurre dhe pyje, por duke rrezikuar dhe jetët e punonjësve dhe ushtarëve.
Situata është kritike shprehen banorët pasi zjarri është përparuar në lartësinë e malit duke ju afruar zonës së quajtur “Gropat e Pirit” të cilat janë me pyje të dendura duke rrezikuar Llogoranë.
Në orët e para të ditës ka nisur punën dhe një helikopter i cili ka bërë disa rrugë duke hedhur ujë mbi fshatin Dukat. Aktualisht është aktive vatra e zjarrit në Dukat të Ri. Pika kritike u izolua gjatë natës nga forcat operacionale, duke eliminuar rrezikun e kalimit të zjarrit në fshat, por përpjekjet për shuarjen e flakëve vazhdojnë nga toka dhe nga ajri.
Të gjitha forcat janë përqendruar pranë Parkut Kombëtar ku situata mbetet kritike dhe po vijojnë përpjekjet për të bërë të mundur normalizimin dhe izolimin e flakëve.