Fjalë Kyçe

Vazhdon patrullimi i policisë në kuadër të zbatimit të masave anti-COVID

Vazhdon patrullimi i policisë në kuadër të zbatimit të masave anti-COVID

Përmes implementimit të planeve policore dhe zbatimit të masave antiCOVID-19, policia po kujdeset për sigurinë publike si dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Duke pasur synim dhe qëllim primar ngritjen e mëtejme të sigurisë së përgjithshme, parandalimin e krimit dhe zbatimin e masave antiCOVID-19, policia po vazhdon me patrullime gjatë 24 orëve, thuhet në një postim të Policisë së Kosovës në Facebook.

Sipas masave qeveritare për parandalimin e përhapjes së coronavirusit, nga ora 22.30 deri në 05:00 të mëngjesit është i ndaluar qarkullimi për qytetarët dhe veprimtaria e gastronomeve.

Ndërkaq, për të dytën ditë me radhë, në Kosovë nuk është regjistruar asnjë viktimë nga coronavirusi.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, në 24 orët e fundit janë regjistruar 31 raste të reja me sëmundjen COVID-19.

Shifrat e rasteve të reja dalin pas testimit të 3.012 mostrave. Nga kjo shifër, del se një për qind e të testuarve kanë dalë pozitivë me sëmundjen COVID-19.

Komuna me më së shumti raste është ajo e Prishtinës, përkatësisht, në kryeqytetin e Kosovës janë regjistruar nëntë raste të reja.

Gjatë 24 orëve janë shëruar edhe 95 pacientë, njoftoi IKSHPK-ja.

Që prej paraqitjes së rasteve të para me koronavirus, në mars të vitit 2020, Kosova ka regjistruar në total 107.244 raste me COVID-19. Numri i rasteve që kanë përfunduar me fatalitet është 2.239, ndërkaq, 101.374 pacientë janë shëruar.

Raste aktive janë 3.631.