Ish-kryeministri i Kosovës në ekzil, Bujar Bukoshi, ka vdekur në moshën 78-vjeçare.
Bukoshi pati udhëhequr Qeverinë e Kosovës në mërgim në periudhën 1991-1999. Pas luftës, ishte deputet dhe ministër i Shëndetësisë.
Biografia e Bukoshit, sipas Fjalorit Enciklopedik të Kosovës:
Mjek, urolog, profesor i universitetit, ish-kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës. Lindi në Therandë. Kreu arsimin fillor në vendlindje, ndërsa atë të mesëm në Prizren. Mbaroi Fakultetin e Mjekësisë në Beograd (1971).
Pas diplomimit punoi në Drenas, ndërsa pas specializimit në Beograd, punoi në repartin e urologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Më 1980-1981 ishte në përsosje profesionale në Klinikën Urologjike Kemperhof në Koblenz të Gjermanisë; kurse në periudhën 1984-1985 qëndroi në Klinikën Urologjike të Universitetit të Lirë të Berlinit Perëndimor, ku merrej kryesisht me problematikën e onkologjisë urologjike dhe të transplantimit të veshkave. Mbrojti tezën e doktoratës në vitin 1985, në Fakultetin e Mjekësisë në Berlin.
Në vitin 1979 u zgjodh asistent, ndërsa më 1985 docent në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Mori pjesë në shumë tubime profesionale ndërkombëtare deri në vitin 1990, kur për shkaqe politike u largua nga puna. Ishte pjesëmarrës aktiv i lëvizjes politike për pavarësinë e Kosovës. Ishte njëri ndër nismëtarët e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në periudhën 1991–1999 ishte kryeministër i Qeverisë së Republikës së Kosovës në mërgim. Pas luftës ishte deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ministër i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës.
Osmani: Kontributi i tij do të lë gjurmë të pashlyeshme në rrugën drejt lirisë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ngushëlluar familjen Bukoshi për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit në ekzil, Bujar Bukoshit.
Osmani ka thënë se ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë.
Ka shtuar se kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë.
“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Dr. Bujar Bukoshit, një mjek me vizion dhe një burrë shteti me përkushtim të pashoq. Dr. Bukoshi, ish-kryeministër në ekzil, do të kujtohet përherë për kontributin e tij për fuqizimin e kauzës së Kosovës së lirë e të pavarur në kohët më të rënda për popullin tonë. Kontributi i tij si mjek, intelektual dhe udhëheqës politik ka lënë gjurmë të pashlyeshme në ndërtimin e rrugës sonë drejt lirisë dhe pavarësisë. Për dekada me radhë, ai i shërbeu vendit me dinjitet, dije dhe vendosmëri. Në këto çaste të rënda për familjen, bashkëndjej me ju dhe ju inkurajoj që të gjeni forcë në përballimin e dhimbjes”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.