Fjalë Kyçe

Vdes Njazi Uruqi, nënoficer i lartë i FSK-së

Vdes Njazi Uruqi, nënoficer i lartë i FSK-së

Ministria e Mbrojtjes njoftoi se sot pas një sëmundje të rëndë ka ndërruar jetë nënoficeri i lartë i Forcës së Sigurisë të Kosovës, rreshter i parë, Nijazi Jetullah Uruqi.

Homazhet për nënoficerin e lartë Nijazi Uruqi do të mbahen sot duke filluar nga ora 12:00-13:00 në kazermën “New Born” të FSK-së në Gjilan, ndërsa varrimi do të bëhet në orën 14:00 në fshatin Bresalc të Komunës së Gjilanit.

Nijazi Uruqi ka lindur më 16 mars 1975 në fshatin Bresalc.

Nijazi Uruqi u kthye nga kurbeti dhe iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën Operative të Pashtrikut.

Me krijimin e Trupave të Mbrojtjes së Kosovës ka shërbyer në Zonën e Gjashtë të TMK-së.

Nijazi Uruqi, rreshter i parë i FSK-së, ka shërbyer me përkushtim të madh në Regjimentin Mbrojtjes Civile në Pomozotin, që nga themelimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës.

“Njaziu një jetë të tërë ia kushtoi lirisë dhe krijimit të shtetit të Kosovës. Nijazi Uruqi ka lënë pas vetes katër fëmijë dhe bashkëshorten. Ministria e Mbrojtjes dhe FSK-ja, me rastin e ndarjes nga jeta të rreshterit të parë, Nijazi Uruqi, ju shpreh ngushtime familjes, miqve dhe pjesëtarëve të FSK-së”, thuhet në reagim.

Për të ka reaguar edhe kryeministri i dorëhequr Ramush Haradinaj.

“Me keqardhje mora lajmin për vdekjen e pjesëtarit të FSK-së, rreshterit të parë Nijazi Uruqi. Ai i shërbeu vendit në luftë, si ushtar lirie dhe rreshtit të paqes për dy dekada, në TMK e FSK, me përkushtim dhe profesionalizëm të lartë. Jeta dhe vepra e tij do të kujtohet gjithmonë si shembull i ushtarit besnik të Atdheut. Ngushëllime të thella familjes, miqve dhe ushtarëve e oficerëve të Nijaziut. I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!”, ka shkruar Haradinaj.