Një vajzë amerikane që kishte qenë viktimë e fyerjeve nga përdoruesit e internetit për shkak të deformimeve në fytyrë, ka vdekur në moshën 10-vjeçare.
Sophia Weaver nga Karolina Veriore vdiq nga ndërlikimet e Sindromit të Retit, i cili është çrregullim i rrallë gjenetik dhe neurologjik.
Ky sindrom ndikon në ngecjen e zhvillimit të trurit dhe sjell pengesa në të folur, frymëmarrje, ecje dhe shkathtësi motorike e sociale.
Weaver, e cila ka qenë duke jetuar nën mbikëqyrje spitalore pasi iu nënshtrua 20 operacioneve, ishte bërë cak i përqeshjeve në internet. Fotografia e saj ishte përdorur në një postim fyes në Twitter lidhur me abortin, shkruan “Independent”.
Përdoruesi i internetit kishte shkruar: “Është në rregull të mendohet se secili fëmijë është i rëndësishëm. Megjithatë, shumë prej tyre nuk e kalojnë testin që bëhet kur janë në barkun e nënës. Ky test duhet të jetë i obligueshëm dhe nëse rezultati del negative dhe nëna refuzon abortin, atëherë e tërë pesha e përgjegjësisë është mbi të dhe babanë e fëmijës”.
Pasi përdoruesit tjerë kishin dalë në mbështetje të vajzës së ndjerë, platforma e rrjetit social e kishte larguar fotografinë fyese. Megjithatë, ky nuk ishte një incident i izoluar sepse fyerjet kishin vazhduar edhe më tutje.
Kjo gjë kishte ndikuar që nëna e vajzës të bëhet aktiviste dhe mbrojtëse e të drejtave të fëmijëve me nevoja të veçanta.