Ka vdekur të hënën Izet Gjinovci, sekretari i përgjithshëm i Federatës së Hendbollit të Kosovës.
Gjinovci vdiq në moshën 63-vjeçare, ndërsa konsiderohet prej figurave më të rëndësishme në histori të hendbollit kosovar. Punën e sekretarit të përgjithshëm të FHK-së e ka kryer prej vitit 2002. Ka udhëhequr proceset më të rëndësishme të pranimit ndërkombëtar të FHK-së, fillimisht me Mexhid Devajën e më pas me Eugen Saraçinin, kryetarët e federatës.
Gjinovci ishte ish-lojtar i Prishtinës e më pas drejtues shumëvjeçar i këtij klubi. Ka sakrifikuar shumë për klubin Prishtina dhe hendbollin kosovar në përgjithësi.
“Kontributi i tij për zhvillimin e hendbollit kosovar është kolosal. Pas karrierës së suksesshme si hendbollist i Prishtinës, i ndjeri Gjinovci mori drejtimin e klubit prishtinas. Ka sakrifikuar shumë për ta udhëhequr klubin me sukses, ndërsa në një periudhë e kishte shkrirë gjithë pasurinë për mbarëvajtjen e klubit. Ka kontribuuar në pavarësimin e sportit kosovar, ndërsa në vitet nëntëdhjeta, kur sporti kishte misionin e kundërvënies ndaj pushtuesit, është shquar me angazhimin e pandalshëm. Ishte pjesë e organizimeve të rëndësishme të hendbollit dhe pjesë e pandashme e tij”, shkruan në njoftimin e FHK-së.
Falë kontributit të madh të Gjinovcit, FHK-ja që në vitin 2004 u bë anëtare e përkohshme e Federatës Evropiane të Hendbollit dhe klubet kosovare e fituan të drejtën e paraqitjes në gara ndërkombëtare. Në sportet tjera kjo u arrit vetëm një dekadë më pas.
Edhe me të drejta të plota FHK-ja u pranua e para prej federatave të sporteve ekipore dhe edhe ky proces njeh kontributin e madh të Gjinovcit.
“Ai është vlerësuar e është çmuar në secilin mjedis ku është paraqitur. Edhe raportet me drejtues të IHF-së e EHF-së dhe të federatave tjera nacionale i kishte të shkëlqyera. Është dalluar për karizmën që i ka mundësuar qasje në nivelet më të larta të hendbollit ndërkombëtar. Prej 23 prillit të vitit 2021, Gjinovci ishte anëtar i Gjykatës së Apelit të EHF-së. Në këtë organ të rëndësishëm ishte zgjedhur me votat e anëtarëve të Kongresit të EHF-së. Ishte prej më të votuarve dhe kjo dëshmon për respektin që ka gëzuar në nivelet ndërkombëtare të hendbollit. I ndjeri Gjinovci ka kontribuuar në zhvillimin e hovshëm të ekipeve tona kombëtare, dy kualifikimet historike në Botëror dhe arritjen në nivele gjithnjë e më të larta me Kombëtaret A. Bashkëpunimin me federatat tjera të vendit dhe me institucionet shtetërore e kishte të shkëlqyer. Dyert i ka pasur të hapura në çdo vend falë punës së madhe që e ka kryer. Me ndarjen nga jeta të Gjinovcit, hendbolli kosovar dhe FHK-ja kanë mbetur pa një shtyllë shumë të rëndësishme”, shkruan Federata e Hendbollit e Kosovës.