Fjalë Kyçe

Veliu: Nuk ka koalicion pa u qartësuar posti i Presidentit

Veliu: Nuk ka koalicion pa u qartësuar posti i Presidentit

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje për ndërtimin e Qeverisë, pa u definuar pozita e Presidentit.

Sipas Veliut, çdo shtyrje e çështjes së definimit të pozitës së shefit të shtetit do ta rrezikonte më pas koalicionin.

‘Mendimi i të gjithëve dhe disponimi është që tani të definohen të gjitha përgjegjësitë që i kemi me Vetëvendosjen në koalicion, tani e jo më vonë. Sepse çdo gjë që lihet më vonë për diskutim rrezikon koalicionin në punën e tij të mëtejme’, ka thënë Veliu, në një bisedë për Express, të dielën.

Vetëm para një dite, deputeti i LDK’së, Fatmir Rexhepi ka kërkuar që të arrihet marrëveshja për Qeverinë, ndërsa tha se Presidenti duhet të lihet për më vonë, duke theksuar se nuk ka alternativë tjetër pos marrëveshjes me VV’në. E këtë qëndrim të Rexhepit, Veliu e sheh në kuadër të demokracisë dhe lirisë së mendimit në LDK.

Kujtojmë se të enjten është caktuar data e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa VV dhe LDK, si dy partitë fituese në zgjedhjet e 6 tetorit, ende nuk kanë arritur në finalizimin e marrëveshjes për koalicion qeverisës, pasi siç thuhet problemi kryesor po qëndron te Posti I Presidentit të cilin po e kërkon LDK.