Për 5 vjet, Zef Bekaj nuk rreshti së kërkuari drejtësi për vdekjen e motrës së tij, Pashke Bekaj, e cila bëri vetëvrasje në shtëpinë e saj, në vitin 2014, në Klinë.
Për shtytje në vetëvrasje të koleges së tyre, ishin akuzuar nga Gjykata Themelore e Pejës, dega në Deçan, tre policët, Besim Bojaj, Ardian Toplana dhe Fatmir Gashi, me të cilën kishin pasur edhe marrëdhënie intime, raporton KTV.
Këtë të premte, në mungesë të provave, gjykata i ka liruar nga akuza policët.
Për Zef Bekajn, ky vendim është i papranueshëm pasi, sipas tij, ky institucion nuk e ka marrë parasysh dëshminë e motrës së tij, katër ditë para se të bënte vetëvrasje.
Bekaj është i bindur që këta policë e kanë shtyrë të bëjë vetëvrasje.
Por, ai thotë se nuk do të ndalet me kaq dhe do të ankohet në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Bekaj ka bërë të ditur se 4 ditë para se, siç thotë ai, të vritej, motra e tij është intervistuar nga Policia Rajonale e Pejës, me ç’rast i kishte rrëfyer të gjitha në lidhje me tre të akuzuarit dhe shantazhet që ia kanë bërë.
Trupi i pajetë i polices Pashke Bekaj, rreth të 40-ve, është gjetur në dhomën e saj në fshatin Krushevë e Madhe të Komunës së Klinës dhe dyshohet se aktin e vetëvrasjes e ka kryer me armën e saj zyrtare.